17 korrik 2009

Besa rikthen Vokshin

Besa e Pejës e ka rikthyer në skuadër mesfushorin ofanziv Krenar Vokshi, i cili së fundmi ka luajtur në elitën e futbollit malazez. Kështu në edicionin e ri, i cili nis në mesin e muajit gusht, Vokshi do t’ mbrojë ngjyrat e ekipit pejan. Këtij ekipi i është rikthyer edhe sulmuesi i njohur Mensur Duraku, i cili deri më tani aktivizohej po ashtu në elitën e futbollit malazez. Por, Besa e Pejës ka dështuar ta rikthejë në skuadër edhe ish sulmuesin e saj të rrezikshëm, Fitim Halitin. Lajmin e ka konfirmuar trajneri i Besës, Genc Hoxha. Të tre këta futbollistë luanin me Besën pak vite më parë, kur skuadra pejane ishte ndër më të fortat në vend. “Përveç që e kemi rikthyer Mensur Durakun, zyrtarët e klubit kanë arritur marrëveshje edhe me ish futbollistin e ekipit tonë Krenar Vokshin. Kështu në sezonin e ri, Duraku e Vokshi do të luajnë me Besën. Por, zyrtarët e klubit nuk kanë dështuar të arrijnë marrëveshje me Fitim Halitin për ta kthyer edhe atë në ekip”, deklaroi Genc Hoxha për Express.