04 korrik 2009

Barcelona, më e mirë se Reali

Ish trajneri i Real Madridit, Juande Ramos beson se, pavarësisht shpenzimeve rekorde nga gjiganti madrilen, Barcelona është ende ekip më i mirë. Klubi nga Santiago Bernabeu ka shpenzuar mbi 200 milionë euro në katër përforcime gjatë këtij afati kalimtar të verës, ndërsa Barcelona ende nuk ka transferuar askënd. Megjithatë, gjatë një interviste për Radio Marca, Ramos është pyetur nëse Real Madrid ka ndërtuar ekip më të mirë se Barcelona. “Në shkallën individuale ndoshta mund të themi se po, por Barcelona ka përparësinë që është ekip më i fortë, ndërsa Real Madrid nuk ka arritur ende në atë shkallë. Duhet të presim dhe të shohim se çka do të ndodhë. Tani do të vijë koha kur rezultatet do të tregojnë se kush është më i mirë. Por, të gjithë trajnerët kanë dëshirë t’i kenë futbollistët më të mirë në botë”, deklaroi ai. Ramos ishte zëvendësuar në Real Madrid pas përfundimit të sezonit të kaluar nga ish trajneri i Villarrealit, Manuel Pellegrini dhe ka pranuar se ishte i befasuar nga lëvizja. “Në të gjitha sondazhet, unë isha i favorizuar ndaj tij, por çuditërisht gjatë natës më kanë hequr nga sondazhi”, theksoi ai. Sa i përket të ardhmes së tij, Ramos ka thënë se e ka të vështirë të gjejë një ekip si Real Madrid, por prapë ka oferta. “Janë ekipe të mira, por për arsye të ndryshme nuk mendoj se duhet të shkoj”, përfundoi ai.