27 korrik 2009
Torres e zëvendëson Ronaldon
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, synon ta marrë epitetin e Cristiano Ronaldos, si futbollisti më i frikshëm në Premierligë. Ylli portugez Ronaldo, aktualisht mbanë Topin e Artë dhe çmimin e FIFA futbollistit më të mirë në botë, pas paraqitjeve të jashtëzakonshme për Manchester Unitedin. Mirëpo, gjatë kësaj vere ai ka kompletuar transferimin rekord në Real Madrid, për gëzimin e mbrojtësve në Premierligë. Ndërsa, Torres mbetet në Anfield dhe synon të shpërthejë në futbollin anglez këtë sezon. “Është objektiv i imi të jem futbollisti më i frikshëm në Angli, tani pas largimit të Ronaldos. Por, për ta bërë këtë, duhet të fitojmë tituj. Vetëm atëherë e di se njerëzit do të flasin në mënyrë të njëjtë për mua dhe Liverpoolin, siç kanë bërë për Ronaldon dhe Manchester Unitedin. Për ta realizuar këtë, duhet të kalojmë një sezon të shkëlqyeshëm, por jemi optimist se mund të vazhdojmë aty ku e kemi lënë edicionin e kaluar dhe të luftojmë për kreun e tabelës”, tha Torres. Manchester United e mposhti Liverpoolin në garën e ngushtë për titullin e kampionit në Premierligë sezonin e kaluar, por Torres beson se viti 2010 mund të jetë viti i të Kuqve. “Manchester United ka ekip të shkëlqyeshëm, por sigurisht se ne kemi shans të mirë për titull”, përfundoi ai.