19 korrik 2009

Taçi konfirmon tratativat: Dua të blej 80% të Bolonjës

Rezart Taçi është tashmë presidenti i një skuadre futbolli, ngjyrat e së cilës janë kuqeblu. Quhet Gramozi Ersekë dhe sapo u ngjitu në Kategorinë Superiore Shqiptare. Kështu e nis e përditshmja italiane "Corriere Della Sera" përshkrimin e saj për bosin e kompanisë "Taçi Oil", i cili synon të blejë Bolonjën e Serinë A. Taçi ka transformuar kompaninë shtetërore ARMO në privaten "Taçi Oil International", falë një investimi prej 128 milionë eurosh, mbi të cilën ka pasur shumë polemika. "TOI" është kompania më e madhe dhe më e rëndësishme e naftës në Shqipëri. Investimet e saj në dy vitet e ardhshme vlerësohen në 100 milionë euro. Taçi, personazh i njohur në Shqipëri, mik i Sali Berishës, familja e të cilit ka krijuar një perandori, duke u bërë ndër më të pasurat në vend, ka një pasion të madh: futbollin. Miqësia me Berluskonin, Galianin dhe Milanin është e njohur, jo rastësisht në 2008 e në 2009 ka organizuar me kuqezinjtë dy ndeshje në Tiranë (duke paguar 4 milionë euro pa iu dridhur dora). Që vitin e kaluar synon të hyjë në futbollin italian, duke bërë oferta të ndryshme jo vetëm për Bolonjën, por dhe Kaljarin e Livornon. Superliga shqiptare nuk i mjafton më. Edhe Igli Tare e njeh mirë Rezart Taçin. "Njeri i mirë, i zoti dhe karizmatik, absolutisht i aftë të menaxhojë një klub në lartësinë e Serisë A. Bolonja është një piacë e rëndësishme, ku jam i bindur se mund të japë kontributin e tij. I vetmi problem është ai i të qenit një shqiptar: dikur vinim të uritur me gomone, sot kthehemi të blejmë një klub futbolli. Por bota rrotullohet". Si një top. Në një intervistë të dhënë për të përditshme italiane, Taçi ka konfirmuar interesin për Bolonjën: "Po është e vërtetë, jam në tratativa për të blerë 80% të klubit. Me presidenten Françeska Menarini jemi takuar në Romë pak ditë më parë. Mendojmë se e diela dhe e hëna janë dy ditë shumë të rëndësishme për mbylljen e tratativës". Të enjten ai ka drekuar me Adriano Galianin, Ariedo Braidën dhe presidentin e Livornos, Aldo Spinelli. Por ai saktëson se ishte një drekë miqësore, "pasi i kam miq, me përjashtim të Spinelit, të cilin e takova për herë të parë dhe rastësisht. Kurrë nuk kam dashur të blej Livornon. Për sa i përket Bolonjës, konsulentët e mi po vlerësojnë shifrat e klubit". Ai ka mohuar dyshimet se drejtuesit e Milanit po e favorizojnë në këto tratativa, ndërsa saktëson se i pëlqen Bolonja. Po shpreh edhe kuriozitetin e tij: "Të shohim nëse futbolli, ashtu si vendi juaj, është i hapur. Të shohim nëse Seria A është e gatshme të hapet për pronarë të huaj", përfundon ai.