01 korrik 2009
S’jemi galaktikë, por të fortë
Mesfushori argjentinas i Interit, Esteban Cambiasso, thotë se skuadra italiane nuk është galaktike, por mjaft e fortë. “Inter i trajnerit Mourinho nuk është galaktike. Por, është i përbërë nga futbollistë që mund të luajnë mirë ose keq, por që nuk janë yje”, tha mesfushori defanziv për ANSA. “Më parë ishim një skuadër që nuk dinte të fitonte, por për fat tash jemi transformuar ashtu si duhet”, shtoi ai. Cambiasso ka folur edhe për transferimet marramendëse të kësaj vere nga ana e ish skuadrës së tij Real Madrid. “Real vjen nga një fazë kur Barcelona e ka bërë historinë. Kështu që klubi madrilen ka nevojë për përforcime, e për këtë po ecën përpara me këtë projekt”, shtoi ai. Cambiasso e preku edhe temën e përfaqësueses argjentinase, e cila nuk po kalon nëpër momente edhe aq të mira. “Argjentina e udhëhequr nga Diego Armando Maradona nuk po kalon nëpër një situatë të qetë, por jam i bindur se i ka të gjitha mundësitë dhe kualitetin për ta rikthyer formën”, nënvizoi përfaqësuesi argjentinas.