27 korrik 2009

Rezart Taçi: Bolonja ime, si Milani!

Presidenti i ri i Bolonjës premton ngritjen e skuadrës në nivele të larta, madje edhe në Europë

Në një kohë kur mungesa e investimeve dhe mwnyra e organizimit nw futbollin shqiptar lënë për të dëshiruar, për arsye që tashmë dihen (nuk është vendi për t’i diskutuar), një biznesmen i fuqishëm shqiptar në tregun e naftës merr përsipër (guximin) të blejë një nga klubet më të vjetra dhe më me emër në Itali, Bolonjën. Disi paradoksale (për njerëzit e thjeshtë), që një biznesmen hedh para për të zhvilluar një klub futbolli në vendin fqinj, Itali, që është shumë më i zhvilluar se Shqipëria, ndërkohë që futbolli shqiptar përpëlitet për ta ngritur sadopak kokën nga llumi ku është përfshirë pas rënies së diktaturës. “Dua të futem në tregun italian dhe investimi në futboll është mënyra më e mirë për t’u promovuar,” - do të shprehet Rezart Taçi, presidenti i

“Taçi-Oil” për “Gazzetta dello Sport”. “Bolonja ime me stilin e Milanit” është një tjetër premtim i njeriut që solli dy herë kampionët e botës në Tiranë. Ja intervista me njeriun më të ri të përfshirë në futbollin italian:

- President Taçi, kur do të zbarkoni zyrtarisht në Bolonjë?
- Jo para datës 3 gusht. Sepse më parë duhet të mbyllim të gjitha bilancet e klubit. Vetëm pasi të kryhen të gjitha procedurat e rastit, do të bëhet shitje zyrtare.


- Si ndiheni në këtë moment?
- Shumë i kënaqur dhe ndoshta diçka më shumë. Vij nga tregu i një vendi të vogël si Shqipëria, që e ka pasur gjithmonë pikë referimi Italinë.


- Pse keni zgjedhur pikërisht Bolonjën?
- Kompania ime punon në fushën e energjitikës. Dëshirojmë të futemi edhe në tregun italian dhe investimi në futboll është ndoshta mënyra më e mirë për t’u bërë i njohur këtu, në Itali.

- Keni marrë sugjerime dhe këshilla nga miku juaj Galiani?
- Absolutisht jo. Takohemi shpesh, por blerjen e aksioneve të Bolonjës e kam kërkuar vetë me shumë ngulm.

- Cila do të jetë ndërmarrja juaj e parë në krye të Bolonjës?
- Ideja është të bëhet vlerësimi i skuadrës. Nuk është se do të ndërhyjmë në asetet e klubit. Thjesht do të infiltroj një njeriun tim të besueshëm.

- Ka dalë në skenë emri i Roberto Rosit, mikut tuaj të fëmijërisë…?
- Është shumë e mundshme. Njihemi me njëri-tjetrin prej shumë kohësh. Ai është profesionist në fushën e bankave. Shpresoj që të pranojë. Në rast se po, do të përfaqësonte njeriun e duhur të pronarit. Veç të tjerash, do të vijë një sponsor tjetër. Nuk do të jetë më “Uni-pol”, por një ndërmarrje e rëndësishme e Lindjes.


- Le të dalim tek objektivat e Bolonjës…?
- Bolonja duhet të jetë e pjesës elitare të futbollit italian. Duke marrë parasysh logjikën ekonomike dhe të promovimit, dua një skuadër konkurruese, që të jetë e aftë për të dhënë spektakël. Këto dy aspekte janë të lidhura me njëra-tjetrën: rezultatet bëjnë që të rritet xhiroja e biznesit.


- Konkretisht, cili është synimi juaj?
- Dua që të konsolidohemi tre vitet e para, ndërsa më pas të synojmë, pse jo edhe në Europë.

- Çfarë di për gjendjen aktuale të skuadrës?
- Që duhet përforcuar, për të shmangur vuajtjet e sezonit të kaluar. Do ta nismim me Marko Di Vaion, që është pika jonë e referimit dhe një nga sulmuesit më të fortë në qarkullim. Kemi përcaktuar buxhetin dhe do të veprojmë shumë shpejt.

- Qyteti pret futbollistë me kualitet në fushatën e blerjeve…?
- Kështu do të ndodhë. Në fillim disa përforcime, për të qenë më konkurrues, pastaj do të vijë goditja e madhe.


- Flitet për Kruzin dhe Di Natalen…?
- No Comment, është shumë shpejt.

- E lehtë ta gjesh nga se jeni frymëzuar…
- Pa dyshim nga Milani. Është një model fitues, ku të gjithë veprojnë për të mirën e përbashkët, me një familje të madhe pas shpatullave, që e drejton.


- A mund të vijë ndonjë futbollist nga Milani?
- Raportet me Milanin i kemi të shkëqyera, por le të mos bëjmë biseda të kësaj natyre. Është e parakohshme.

- Cili do të jetë roli i familjes Menarini te Bolonja e re?
- Shumë i rëndësishëm. Janë të lidhur me Bolonjën (skuadrën) dhe qytetin. Menarinët do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në projektin e stadiumit të ri, që nuk do ta braktisin.

Buxheti i klubit këtë vit, 60 milionë
Presidenti i Bolonjës do të jetë ai, Rezart Taçi. I cili ka parashikuar edhe buxhetin për sezonin e ri futbollistik, që kap shifrën e 60 milionë eurove. Sapo e shikon në fytyrë, e kupton që është një njeri i lumtur. Taçi qëndron në shina dhe nuk lëshon fjali sensacionale. “Dëshironi të njiheni me shifrat? Në rregull, po jua tregoj, sepse dua të jem i qartë dhe transparent. E kam firmosur këtë kontratë për 24 milionë euro. Nga 3 gushti do të vijojmë punën. Për këtë vit buxheti i Bolonjës do të jetë 60 milionë euro. Mos u ekzaltoni shumë për këtë buxhet, ndonëse ju siguroj që do të ndërtojmë një skuadër konkurruese. Nuk bëj premtime dhe mos prisni gjëra të jashtëzakonshme nga unë, megjithatë një gjë është e sigurt: nuk më pëlqen të humbas. Sigurisht, do të bëjmë të pamundurën në merkato.

Do të jem unë pesident i Bolonjës dhe mezi pres të festoj 100-vjetorin e themelimit të saj. Kjo më bën shumë krenar. Mnarinët do të qëndrojnë në këshillin drejtues,” - është shprehur presidenti Rezart Taçi. Ai nuk do të bëjë revolucion: “Nuk jam as fitues as pushtues, stafi do të qëndrojë siç është. Do të sjell në krye të Bolonjës një njeriun tim shumë të besuar. Jam shumë kurioz të zbuloj se çfarë do të dijë të bëjë në futboll. Pse zgjodha Bolonjën? Para së gjithash, futbolli është spetkakël dhe tifozëve tanë u them se do të impenjohem maksimalisht për t’i kënaqur. E dyta, në futboll vlejnë rezultatet, kështu që edhe ato do t’i arrijmë. E treta, Futbolli dhe biznesi për mua janë të lidhura. Qëllimi im është të futem në tregun italian në zonën e shërbimit të karburanteve.”

Di Natale, objektivi i parë i Taçit
Blerja e 80% të aksioneve nga Rezart Taçi, ka bërë që të shpërthejnë edhe zërat e merkatos. Premisat janë pozitive, përderisa presidenti i sapozgjedhur ka vënë në tavolinë 7 milonët për Osvaldon. Por ka edhe emra të tjerë. Bëhet fjalë për Kruzin dhe Di Natalen. Duhen vlerësuar edhe marrëdhëniet e mira me Milanin. Qarkullojnë zëra për Odon dhe Di Xhenaron. Trajnerit Papadopulo i pëlqen shumë Antonini, mirëpo ky futbollist gëzon mbështetjen e Leonardos. Drejtosi sportiv Salvatori do të nisë bisedimet që më parë kishin ngecur. Bëhet fjalë për brazilianin Rafael Santos dhe Alesandro Lukarelin. Nëse një nga këto pista do të binte, është gati oferta për Kribarin. Lista e shpenzimeve përfshin edhe dy mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues. Salvatori ngulmon në pistën “Suçi”, por strategjia mbetet në vend, derisa Taçi të bëhet zyrtarisht president, më 3 gusht.

Kush është 38-vjeçari Rezart Taçi
Biznesmeni i naftës, Rezart Taçi, zotëron një perandori të tijën: mbi 100 pikë të shpërndarjes në të gjithë vendin. E ka blerë Bolonjën (80% të aksioneve) për 23 milionë euro. Në Shqipëri është president i Gramozit të Ersekës, skuadër e superligës, që është ngjitur në tre nivele brenda po kaq vitesh. Ka një raport të shkëqyer me Berluskonin dhe Galianin. Jo më kot ka ftuar dy herë Milanin në Tiranë për miqësore bamirësie. Milani herën e parë është ndeshur me Tiranën, më pas me nje sekeksion të kombëtares shqiptare.