27 korrik 2009

Mourinjo dashurohet me Etonë: Vlen sa Ibra!

Trajneri i Interit rrëfen të gjitha prapaskenat e merkatës nga Amerika, duke e harruar menjëherë suedezin

Trembëdhjetë ditë të kaluara në heshtje mund të mjaftojnë. Ajo që duhej të ndodhte ka ndodhur: tani Hoze Mourinjo nuk e shikon më rrezikun që çdo deklaratë e tij mund të keqkuptohet, apo të ndikojë në disa ekuilibra delikatë, që ndodhen pas disa çështjeve që kanë lidhje me merkaton. Për këtë arsye kishte zgjedhur heshtjen: nuk e dinte se çfarë duhet të thoshte me saktësi, mund të ishte një rrezik të zbulonte atë që mendonte vërtet. Të flasësh vetëm për Interin, por jo për merkaton? Do të ishte një diskutim i lënë përgjysmë, i shkëputur: Interi i tij ishte akoma i mbërthyer nga merkato, shumë e komplikuar të bënte hipoteza, të fliste për një skuadër pa e ditur mirë se çfarë skuadre do të ishte. Tani Mourinjo e di dhe ka vendosur të flasë, trembëdhjetë ditë pas 10 korrikut, “ky nuk është Interi që ëndërroja, unë nuk jam Herri Poter, për të fituar Championsin duhet më shumë cilësi”, dhe më pas ka ardhur heshtja, që është thyer të premten.

- Mourinjo, tani keni në dispozicion një Inter që i shkon më afër skuadrës që ëndërronit?
- E ëndërroja më të ekuilibruar, dhe tani është e tillë. Doja një mbrojtës më të ndryshëm nga ata që kisha, dominues i hapësirave ajrore: Luçio; një mesfushor cilësor: Tiago Mota; një mesfushor të avancuar: Hleb mund ta mbulojë këtë rol; një sulmues: Milito, që më pëlqen shumë.

- Po shkëmbimi Ibrahimoviç-Eto iu ka pëlqyer?
- Vetëm një trajner budalla do të ishte i lumtur të humbiste Ibrahimoviçin, vetëm një trajner budalla nuk do të ishte i lumtur të kishte në ekip Etonë. Dhe në fakt jam shumë i lumtur që ka ardhur tek ne.

- Jeni ndier i tradhëtuar nga Ibra?
- Mendoja se do të rrinte, sepse besoja se vetëm Reali mund të ofronte kaq shumë për të, ndërkohë që një gjë të tillë e ka bërë Barcelona. Nëse është siç ka thënë Raiola, se negociatat kishin një vit që kishin filluar, mund të them se ka ndodhur diçka e çuditshme. Nëse ka qenë një marrëveshje, që është arritur në këtë merkato, më mirë kështu: ai mua dhe Interit na ka dhënë gjithçka, gjithmonë. Edhe nëse nuk ka arritur të bëjë plotësisht për vete tifozët, që nuk shqetësohen për largimin e tij dhe që janë gati të dashurohen me Etonë.

- Domethënë, nuk ju vjen keq për mënyrën se si ka përfunduar kjo histori?
- Interi kishte dy mundësi: t’i thoshte Ibrahimoviçit ‘Nuk do të të shesim’; ose të merrte Etonë, plus Hlebin falas për një vit, plus 50 milionë euro. Kjo më duket një marrëveshje e shkëlqyer, një marrëveshje prej 100 milionë eurosh, sepse Eto nuk vlen asnjë euro më pak se Ibra.

- Po me Karvajon dhe Dekon çfarë ndodhi?
- Duhej të shkëmbenim Karvajon me një mbrojtës tonin (Burdizo) dhe të merrnim Dekon falas, më pas Çelsi ka kërkuar 15+5 milionë euro. Nga zero në njëzet milion: pak si shumë, nuk i vë asnjë faj Interit.

- Zgjedhja e Luçios?
- Nuk ka qenë një zgjedhje e dytë, por një surprizë e madhe: i kisha thënë Brankës dhe Orialit të interesoheshin për Van Bujtenin dhe Brenon, më kanë propozuar Luçion. Menjëherë, kam thënë po. Nuk ka këmbë prej fenomeni, por mbron shumë mirë, është shumë i shpejtë, e di si të ndërtojë një aksion sulmues, nuk flet shumë, por zëri i tij dëgjohet. Po e provoj në krah të Kivut: qendërmbrojtësit e tjerë më japin alternativa të tjera, por Kristiani mund të ndërtojë aksionin nga mbrapa dhe Luçio në dy ditë ka treguar se sa shumë do ta ndihmojë Interin në repartin e avancuar.

- Po Hleb?
- Vrapon shumë, me top dhe pa të, kërkon thellësinë, i jep shpejtësi mesfushës. Nuk është një mesfushor i avancuar i pastër, por e kam parë shpesh të aktivizohet në këtë pozicion. Dhe mund të jetë i mirë edhe për skemën 4-3-3: ka luajtur me këtë modul me Arsenalin dhe Barcelonën.

- Të flasim për Etonë?
- Herën e parë, që kam folur me të jemi zënë (Barcelona-Çelsi 2005) dhe më pëlqen një lojtar që pas një humbjeje ka dëshirë të zihet. Më pas jemi ritakuar në një ndeshje të Kupës së Afrikës, më pas kam tentuar ta marr tek Çelsi: doja atë dhe Maikonin, por Barça dhe Interi kanë kërkuar 50 dhe 40 milionë euro. Një javë më parë i kam thënë: ‘Të kam kërkuar shumë, të pres’. Më është përgjigjur: ‘Nëse largohem nga Barça këtë e bëj vetëm për të ardhur tek Interi’.

- Dhe tani do të jetë një Inter shumë ndryshe?
- Totalisht ndryshe. Dhe nga ajo që po shikoj gjatë këtyre ditëve, skuadra është dakord. Më parë Interi rrotullohej shumë rreth Ibrës si pikë referimi në sulm. Ky do të jetë një Inter që do ta mbajë linjën e mbrojtjes 20 metra më përpara, sepse do të mund të ia lejojë vetes me shpejtësinë që garantojnë Luçio dhe Maikoni, që në mesfushë do të përdorë më shumë qarkullimin e topit kështu që do të ketë më shumë kontrollin e lojës; që do të luajë më shumë në thellësi, sepse Eto është shumë i shpejtë dhe Milito është më pak se ai, por bën lëvizje të jashtëzakonshme atëherë kur duhet.

- Sistemi i lojës?
- Do të kenë rëndësi konceptet e lojës që sapo kam përmendur më shumë se sistemi. Me siguri moduli 4-3-3 ka nevojë për punë për të sistemuar automatizmat, ndërsa ne kemi Superkupën e Italisë pas dy javësh dhe ndeshjen e parë të kampionatit pas një muaji. Brazilianët sapo kanë ardhur, Eto dhe Hleb do të bashkohen me skuadrën në Kinë: kulmi do të kishte qenë sikur ta kishim filluar tani fazën përgatitore.

- Baloteli ju zemëron akoma?
- Shumë. Në kampionatin e tij të parë në Serinë A ishte e justifikueshme, sepse ishte vetëm 17 vjeç, vitin e kaluar ishte 18, tani do të jetë 19, por nëse vazhdon kështu do të arrijë në kampionatin e shtatë në moshën 24-vjeçare dhe do të jetë i njëjti që është sot. Duhet të kuptojë se nuk është një fenomen, se fenomenët e bëjnë diferencën në fushë dhe jo jashtë saj, se duhet të jetë më kokëulur dhe më i hapur për të mësuar nga trajneri dhe nga shokët e skuadrës që kanë më tepër eksperiencë.

- Pse nuk e hipni mbi një tavolinë për t’i bërë një premtim skuadrës, siç ka bërë Berluskoni me Ronaldinjon?
- Ajo lëvizje më ka pëlqyer. Strategjia ime do të jetë e ndryshme: ai do fanellën me numrin 10-të dhe unë nuk do t’ia jap. Nuk ia dhuroj numrin 10-të lojtarëve që nuk janë akoma gati: i kam thënë se është aty, e pret për vitin tjetër.

- Prisni blerje të tjera në merkato?
- Jo, ndonjë shitje. Dy gjëra nuk më pëlqejnë në këtë fillim të sezonit të ri: fakti se kam punuar deri disa ditë më parë pa ditur me saktësi në çfarë drejtimi duhej të shkoja dhe fakti që jemi të shumtë në numër, 31 lojtarë, dhe mund të punoj në maksimum me 27: dikush duhet të mbetet jashtë, dhe nuk do të jenë ‘fëmijët’. Ata që këmbëngulin për të qëndruar, nuk do të luajnë.

- A është një skuadër e kompletuar për të fituar Championsin?
- Eshtë një skuadër me një përbërje të mirë, që tani është bërë akoma më e fortë dhe më e ekuilibruar. Një skuadër që, kur do të vijnë momentet vendimtare, mund të rezultojë më e përshtatshme për Championsin: pjesa tjetër, të presim për të folur. Sigurisht të fitosh një Champions me Interin ose me Barcelonën ka një shije totalisht të ndryshme dhe këtë ia kam thënë edhe Ibrës: ‘Nëse Barça do ta fitojë sërish nuk do të jetë sepse ke shkuar ti atje, por sepse është një skuadër e përgatitur për të fituar në vazhdimësi.