19 korrik 2009

Preciozi: Për Rubinjon dua Brigin

Edhe pse Doni duket tashmë se i ka kaluar problemet në gju, Roma vazhdon të kërkojë përforcime në portë. Të dhënat të çojnë te numri një i Xhenoas, Rubinjo, siç e konfirmon vetë presidenti Enriko Preciozi: “Pradè kërkon të takohet me drejtorin tonë sportiv për të nisur bisedimet, por do të vlerësojmë nëse ekziston ndonjë mundësi për ta bërë një gjë të tillë. Me portierin s’kemi asnjë problem. Ka kontratën që i skadon pas një viti dhe jemi të hapur për një rinovim. Në rast se nuk do të ndodhë, jemi gati të dëgjojmë ofertën e Romës. Është e qartë, që duke parë skadencën e afruar, nuk jemi gati ta shesim në formë huaje, por vetëm përfundimisht”. Nëse çështja merr jetë, mund të përfshihet si këmbim teknik Brigi, lojtar që presidenti Preciozi e çmon shumë: “Më pëlqen shumë Mateo, luajti një sezon të shkëlqyer. Mund të na interesojë, por për momentin nuk kemi nisur akoma ndonjë tratativë me Romën”.