23 korrik 2009

Onievu: Jam këtu prej Leonardos

Mbrojtësi amerikan është prezantuar në Los Anxheles me skuadrën kuqezi: Një gëzim i madh që jam i Milanit
Eshtë prezantuar dje në Los Anxheles, ku është bashkuar me skuadrën, edhe përforcimi i vetëm i bërë nga skuadra e Milanit deri tani në këtë merkato. Nuk bëhet fjalë për zëvendësuesin e Kakasë, për të cilin drejtuesit kuqezinj janë akoma në kërkim, por për një mbrojtës që ka rënë në sy për lojën e tij, mbi të gjitha fizike, në edicionin e fundit të Kupës së Konfederatave me kombëtaren e Amerikës, ku ka arritur deri në finale për t’u mundur më pas nga Brazili. Bëhet fjalë për mbrojtësin Oguçi Onievu, që ka kaluar tek “Djalli” nga skuadra belge e Standardit të Liezhit me kosto zero. “Ka qenë një gëzim i madh për mua kur kam marrë vesh se do të luaja me Milanin. Të luash në një klub kaq të madh nuk është një gjë që ndodh çdo ditë.
E njoh shumë mirë Serinë A, mendoj se është një kampionat shumë i vështirë dhe shumë kompetitiv. Dua të ndihmoj shokët e mi të skuadrës”, ka thënë Onievu në konferencën e tij të parë për shtyp si lojtar i Milanit. Gjithashtu, shtatlarti amerikan ka shprehur edhe fjalë të mira për Devid Bekhamin, i cili është vërshëllyer nga tifozët e Galaksi pikërisht në miqësoren që ekipi amerikan ka zhvilluar kundër Milanit, disa ditë më parë. “Devid është një lojtar i madh, nuk jam dakord me tifozët që e kanë kundërshtuar.
Por di se përveç vërshëllimave ka patur edhe duartrokitje”. Më pas kanë ardhur edhe komplimentat ndaj rivalit zikaltër, Ibrahimoviç. “Eshtë një lojtar i shkëlqyer, jam përballur një herë me të me kombëtaren dhe në atë rast nuk ka shënuar gol. Nuk e di nëse do të përballem sërish me të…”, ka thënë mbrojtësi amerikan. Në fund, në lidhje me mundësitë e tij për të siguruar një vend në formacionin titullar të kuqezinjve, Onievu është shprehur i sigurtë: “Do ta bazoj gjithçka tek forca ime fizike. Dua ta ndihmoj mbrojtjen me aftësinë time në lojën në ajër”.
Në fund, gjigandi amerikan shpreh adhurim për trajnerin e tij të ri, Leonardo, për të cilin zbulon: “E adhuroja që kur isha fëmijë. E kam parë të luajë në televizor pikërisht në “Botërorin USA ‘94″, që atëherë më bëri përshtypje, ndaj dhe te Milani erdha prej Leonardos”