17 korrik 2009

Kuarezma: Nuk kam frikë nga “San Siro”

Fantazisti portugez, pas një sezoni negativ është shprehur i sigurt për kampionatin e ri
Kuarezma, në bazë të një projekti të caktuar, duhej të kishte harruar sezonin e kaluar, duke përfshirë këtu edhe eksperiencën e shkurtër me Çelsin, nën diellin e stadiumit “Marasi” (stadiumi i Xhenoas), si kundërofertë teknike për kalimin tek Interi të Tiago Motës dhe Diego Militos. Por lojtari, midis shumë gjërash të tjera, është edhe kokëfortë, dhe në fund Mourinjos, - që nuk e kishte kundërshtuar largimin e tij - nuk i ka ardhur keq për qëndrimin e mbajtur nga lojtari për të provuar edhe një herë shansin e tij tek zikaltrit. Në fund të fundit, Kuarezma ka qenë edhe një bast i trajnerit portugez dhe Hozesë, kjo dihet, nuk i pëlqen të humbasë asnjë lloj sfide. Të ngjashëm me vitin e kaluar Kuarezma ka vetëm vathin, që i shkëlqen nën dritën e diellit. Fizikisht Rikardo, duket më i fuqishëm dhe për këtë ka një arsye: “Të fillosh punën bashkë me të tjerët, dhe jo në fundin e gushtit, është më mirë”.
Dhe të fillosh stërvitjen edhe para të tjerëve, siç ka bërë ai për t’u paraqitur i dobët dhe në formën e duhur, është akoma më mirë. Rezultatet janë parë që në seancat e para stërvitore në UCLA (Universitet i Los Anxhelesit), me anë të të cilëve ka arritur të shlyejë gabimin e bërë në fillim të grumbullimit me skuadrën, paraqitjen me disa orë vonesë në takimin e parë me ekipin në Pinetina për faj të ziles të vendosur gabim ose të padëgjuar. Në lidhje me impaktin e tij psikologjik me sezonin e ardhshëm dhe në veçanti me publikun e “San Siro”-s, që kundrejt tij nuk ka qenë shumë i butë, Kuarezma ka thënë: “Frika nga një stadium nuk bën pjesë në karakterin tim.
Nuk kam patur asnjë herë frikë nga asgjë dhe nuk mund të kem frikë nga një vend ku unë duhet të bëj punën time. Jo, nuk do të kem asnjë shqetësim kur do të rikthehem të luaj në “San Siro”, sepse ai stadium është shtëpia e Interit dhe unë jam një lojtar i Interit”. Ndërkohë, në kontratën që është bërë me Porton, në verën e 2008-ës, përfshihej një klauzolë. Portugezi vlente 18 milionë euro, plus Pelenë, teksa brenda tre viteve të para Porto duhet të kishte marrë 2 milionë euro ekstra në sezon për një numër të caktuar aktivizimesh të lojtarit dhe të golave të shënuar nga ai. Kështu, për sezonin e parë me zikaltrit (13 paraqitje, 0 gola), Interi ka kursyer 2 milionë euro.