25 korrik 2009

Kaceres u bën thirrje italianëve

Martin Hoze Kaceres ka filluar të mendojë qysh tani për bardhezinjtë e Juventusit. Tratativat ndërmjet Juves dhe Barcelonës janë drejt fundit dhe Kaceres po pret me padurim të zbarkojë në Torino. “Për mua, – ka thënë mbrojtësi uruguaian, – është fantastike që bëj pjesë në planet e një klubi të madh si Juventusi. Pikërisht për këtë motiv shpresoj që bardhezinjtë t’i mbyllin sa më shpejt tratativat me Barcelonën. Po pres me padurim të nis aventurën time të re me Juventusin. Menaxheri im Daniel Fonseka më ka shpjeguar gjithçka mbi klubin, – ka vazhduar më tej uruguaiani, – duke filluar që nga stili, karakteristikat, pothuajse gjithçka. Kam vënë re se Juventusi është një klub që nuk dorëzohet kurrë, këtu ngjasojmë shumë. Sepse edhe unë jam kështu, jam një tip të cilit i pëlqen vetëm të fitojë”.