Për mesfushën ekzis tojnë shumë emra, por jo ai i Ksabi Alonsos”. Presidenti i skuadrës së Juventusit, Xhovani Koboli Xhili, përgënjeshtron mundësinë e mbërritjes në Torino të mesfushorit të Liverpulit, i shumëkërkuar nga “Zonja e Vjetër” në sezonin e ardhshëm. “Nga shtypi kam mësuar për këtë interesim tonin në drejtim të futbollistit spanjoll. Sigurisht që Ksabi Alonso është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, ashtu siç është edhe Marek Hamshik, një tjetër lojtar që kanë afruar në skuadrën tonë. Pavarësisht këtyre, asnjë nga këta dy emra
nuk do të jetë pjesë e skuadrës sonë për sezonin e ardhshëm”. D’Agostino – Ndërkohë që Ksabi Alonso është një mision i pamundur, rikthehet në modë pista “D’Agostino”, pavarësisht se presidenti juventin sqaron: “Kjo marrëveshje është ftohur në ditët e fundit. Udineze është një shoqëri serioze, me drejtues të përgatitur, të cilët janë edhe negociatorë shumë të zotë. Për momentin duhet të gjejmë një zgjidhje mes dy palëve, sepse mendojmë se Gaetano D’Agostino është një lojtar i denjë për Juventusin dhe do të ishim të nderuar që lojtari të bashkohej me ne”. Bllokim i merkatos – Koboli Xhili gjithsesi parashikon risi në lidhje me merkaton në ditët e ardhshme. “Për momentin, merkato jonë është e bllokuar nga lojtarë, që nuk duan të largohen nga Juventusi dhe padyshim që ne nëse fillimisht nuk arrijmë të shesim për të arkëtuar ndonjë shumë parash, sigurisht që nuk mund të blejmë. Kristian Poulsen është një lojtar që e kemi nxjerrë në shitje, por gjithashtu edhe David Trezege. Gjithsesi, për këtë të fundit do të mund të pranonim vetëm një ofertë të majme, pasi në rast të kundërt do të ishim të lumtur ta mbanin në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, dhjetë ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për merkaton tonë”, vazhdon numri një i bardhezinjve. Nedved dhe Moxhi – Pavel Nedved i ka dhënë lamtumirën Juventusit, por presidenti i klubit e pret sërish çekun në Torino: “Shpresoj që Paveli të rikthehet të jetë pjesë e Juventusit. Kur ai i dha lamtumirën futbollit me fanellën tonë, na siguroi se nuk do të luante për asnjë ekip tjetër. Por menaxheri i tij, Mino Raiola, duket se po e bind t’i rikthehet fushës. Gjithsesi, unë e ftoj edhe njëherë Nedvedin të bashkohet me Juventusin, ku do të ketë një rol të rëndësishëm në stafin e klubit tonë. Moxhi? Zoti Luçiano është një person që ka punuar për shumë vite në botën e futbollit dhe e njeh mjaft mirë këtë ambient, sikurse ka edhe shumë miq në skuadra apo organe të tjera të rëndësishme që kanë lidhje me futbollin”, përfundon Xhovani Koboli Xhili.
4 OBJEKTIVA REALE PËR BARDHEZINJTË
FABIO GROSO - Italiani i Lionit është emri më i kuotuar për rolin e mbrojtësit të majtë. Tani, mbërritja e tij në Torino është pothuajse e sigurt, por pritet vetëm që lojtari të kthehet nga pushimet. Çiro Ferrara, trajneri i Juventusit, i cili e ka studiuar nga pranë Groson në periudhën që ishte zëvendësi i Marçelo Lipit në Kombëtare, kërkon me doemos mbrojtësin me eksperiencë të Lionit për të blinduar në këtë mënyrë krahun e majtë të repartit të prapavijës. Marrëveshja me klubin francez pritet të mbyllet mbi bazën e 5 milionë eurove; për lojtarin, 2 milionë euro në sezon.
D’AGOSTINO - Presidenca e Juventusit është e dashuruar me Gaetano D’Agostinon, fantazistin e Udinezes, për të cilin friulanët vazhdojnë të kërkojnë me ngulm 20 milionë euro. Juventusi ofron vetëm 12 milionë për momentin, por në ditët e ardhshme të dyja klubet janë gati të bien dakord në një vijë të mesme, pra 15 milionë euro. Gjithsesi, presidenca e Juventusit, në rast se nuk do të bjerë dakord edhe këtë herë me Udinezen, atëherë do të fillojë të synojë seriozisht Kristian Ledezmën e Lacios dhe Mahamadu Diarranë të Realit të Madridit, i cili mund tëmbërrijë në Torino në formën e huazimit.
FELIPE MELO - Mesfushori brazilian sapo ka rinovuar kontratën me skuadrën e Fiorentinës deri më 30 qershor 2013. Por që dy javë më parë, klubi vjollcë për çdo lojtar të tijin ka vënë një klauzolë për prishjen e çdo kontrate. Ajo e Felipe Melos është fiksuar mbi bazën e 20 milionë eurove. Sigurisht që duke parë paraqitjet e fundit të bëra nga braziliani në Kupën e Konfederatave, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë mbetur të mahnitur nga lojtari i Fiorentinës dhe po mendojnë seriozisht të sakrifikojnë 20 milionë euro, vetëm për të transferuar Felipe Melon në Torino.
GORAN PANDEV - Për momentin, mbase sulmi është pika më e fortë e skuadrës së Juventusit, por me një David Trezege, i cili është gjithmonë e më shumë në dyshim mbi qëndrimin e tij në Torino, drejtuesit po mendojnë edhe për një përforcim të mundshëm në këtë repart. Në rast të largimit të francezit, është maqedonasi i Lacios, Goran Pandev, objektivi kryesor i “Zonjës”, i cili në këtë mënyrë do t’i bashkohej Del Pieros, Amaurit, Iakuintës dhe Diegos. Një alternativë tjetër është zbuluar ditët e fundit dhe vjen nga Rumania. Kristian Tanase, 22-vjeçar, konsiderohet “Adrian Mutu i ri”.