25 korrik 2009
Inter e Milan, derbi në merkato për Lavecin
Deklaratat e presidentit të Napolit, Aurelio de Laurentis, kanë prishur përfundimisht marrëdhëniet e klubit me Ezekuel Lavecin. Drejtuesi më i lartë i "axurrëve" nuk u kursye aspak në kritikat ndaj yllit të skuadrës: "Gjatë sezonit të kaluar shënoi vetëm shtatë gola. Nuk është i domosdoshëm për ne, nuk po flasim për Maradonën. Me afrimet në merkato i kemi marrë masat që skuadra të jetë konkurruese edhe pa të". Fjalë që ndryshe përkthehen: Laveci është në shitje! Situata e krijuar në "San Paolo" mund të nxisë derbin e merkatos ndërmjet Interit dhe Milanit për fantazistin. Zikaltrit sapo kanë përfituar disa miliona euro nga shitja e Ibrahimoviç te Barcelona. Hoze Murinjo kërkon afrimin e një tjetër sulmuesi, i cili është i aftë të luajë nga krahët. Karakteristikat e Lavecit përshtaten më së miri me preferencat e teknikut luzitan. Për më tepër, 24-vjeçari mund të krijojë një dyshe të fortë sulmuese me Samuel Eto‘o, që në "Kamp Nou" ishte mësuar të luante përkrah një tjetër ylli argjentinas, si Lionel Mesi. Edhe Morati e vlerëson Lavecin dhe mund t‘i dhurojë drejtuesit të stolit një blerje me të cilën Interi do të jetë edhe më i fortë në garën për Ligën e Kampioneve.Skuadra tjetër milaneze, ajo kuqezi, është në kërkim të një sulmuesi që do të luajë në "tredhëmbëshin" e Leonardos. Blerja e talentit të Napolit do të shërbente edhe për të ngritur entuziazmin e tifozëve, të cilët ende nuk ia kanë falur Berluskonit dhe Galianit shitjen e Kakasë. "El Pocho" është një alternativë shumë e mirë për Paton dhe Ronaldinjon, mbi të gjitha nëse ky i fundit do të paraqitej dobët edhe gjatë sezonit të ri. Laveci i përshtatet edhe drejtimit të ri të klubit, që tashmë kërkon lojtarë të rinj, të etur për trofe dhe që pritet të bëjnë hopin cilësor në karrierën e tyre. Në orët e fundit, te Milani është përfolur edhe për shkëmbimin e argjentinasit me Borrielon, ndërsa si alternativa për repartin ofensiv shihen edhe francezi David Trezege dhe holandezi i Realit, Klas Huntelar. Për Lavecin interesohet edhe Juventusi, që gjithsesi duket më mbrapa në garën me Interin dhe Milanin. Në anën tjetër, edhe Napoli po përgatitet për zëvendësuesin e sulmuesit: alternativa e preferuar e De Laurentis është Antonio Kasano, ndërsa nuk duhet nënvlerësuar as pista drejt Pandev të Lacios.