03 korrik 2009

Inter-Arnautoviç, shumë afër dështimit

Branka është kthyer nga Holanda i bindur se marrëveshja ishte mbyllur, por Tvente ka ndryshuar mendje

Pë Arnautoviçin gjithçka e mbyllur, por jo! Në gjysmë të rrugës ka ardhur lajmi se misioni i Brankës në Hollandë ka pasur sukses të plotë, teksa sulmuesi mund të konsiderohej një lojtar i Interit. Tvente ka pranuar propozimin e drejtorit teknik zikaltër, transferimi i lojtarit do të bëhet me formulën e borxhit deri në muajin janar me të drejtën për ta blerë përfundimisht lojtarin për 9 milionë euro. Blerja e “gjigantit” austriak të skuadrës së Tventes, në orën 22:30, është kthyer në një mister, kur drejtuesit e klubit hollandez, të shtyrë nga mediat vendase, kanë bërë të ditur se oferta e Interit nuk është pranuar.

Ata duan të mbushin arkat menjëherë dhe jo në muajin janar. Interi, në të vërtet, kishte specifikuar se lajmërimi zyrtar do të shtyhej për ditën e hënë ose të martë, sepse duheshin sistemuar disa detaje me karakter burokratik. Dhe në fakt Branka e kishte caktuar takimin e radhës me drejtuesit hollandezë në studion milaneze të Rinaldo Gelfit, zëvendëspresidenti i zikaltërve dhe ministri i financave të Moratit.

“Në këto ditë të dy klubet do të sistemojnë detajet e fundit”, kanë qenë fjalët që kanë dalë nga zyrat e Interit. “Por të dy palët janë dakord në lidhje me faktin se marrëveshja është arritur”. Më pas ka ardhur përgënjeshtrimi nga Hollanda: “Nuk jemi aspak dakord me ofertën që na është bërë, Interi duhet të modifikojë ofertën në ditët në vazhdim”. Kështu, Tvente, refuzon transferimin borxh dhe këmbëngul në shitjen e menjëhershme.

Me rekuperimin e sigurt të lojtarit nga dëmtimi, por me pasigurinë e kohës që duhet për këtë rekuperim, Branka nuk mund të bënte një ofertë të ndryshme nga ajo që ka bërë. Dhe ka shumë pak mundësi që tani Morati të japë miratimin e tij për një ndryshim të strategjisë, që është ndjekur deri tani nga zikaltrit për të arritur tek sulmuesi austriak. Gjithashtu, duket e vështirë që Interi të ketë keqkuptuar qëndrimin e Tventes. Ka më shumë mundësi që klubi hollandez të jetë i përçarë në brendësi të tij.

Ndërkohë, të martën shtypi francez fliste për një interesim të Interit për mbrojtësin francez të krahut të majtë, Sisokho, kalimi i të cilit tek Milani ka dështuar për shkak të disa problemeve fizike. Në zyrat zikaltër e kanë pritur këtë lajm dhe kanë përdorur batutën, tashmë, të famshme që presidenti i Juventusit Koboli Xhilji, ka bërë kur është pyetur vjet në lidhje me një kalim të mesfushorit afrikan Sisoko.

Presidenti bardhezi, duke hapur sytë si një aktor i përkryer, ka thënë: “Sisokush?”, me përjashtimin se pak ditë më pas është dukur në siklet para gazetarëve pasi marrëveshja ishte mbyllur. Por tek zikaltrit betohen se reagimi “Sisokush?” është i sinqertë. Në fakt Interi nuk është në kërkim të një mbrojtësi të krahut të majtë, por po përpiqet të gjejë një marrëveshje për rinovimin e kontratës me Maksuellin, kontratë që skadon në vitin 2010 dhe mund të aktivizojë në këtë pozicion si Kivun dhe Santon, përveç të gjithanshmit Zaneti. Janë shumë, apo jo?