03 korrik 2009

Donadoni, i kënaqur: Merkato shumë e mirë

Trajneri i Napolit falënderon klubin për blerjet e bëra deri tani: Laveci, një lojtar i rëndësishëm për ne
Trajneri i Napolit, Roberto Donadoni, ka shprehur të gjithë kënaqësinë e tij për merkaton: “Do të thoja se drejtuesit kanë bërë lëvizje shumë të mira në këtë periudhë të parë të merkatos. Skuadrat formohen jo vetëm duke blerë, por edhe duke u përpjekur të sistemosh numerikisht organikën e ekipit, kështu që na mungon akoma diçka”. Trajneri i Napolit, ndër të tjera, ka qartësuar edhe çështjen Laveci, që ka prishur netët e presidentit De Laurentis, të drejtorit të përgjithshëm Marino dhe të gjithë tifozëve napoletanë: “Laveci është një djalë i zgjuar, i cili e ka kuptuar se si qëndrojnë gjërat dhe unë e konsideroj një lojtar shumë të rëndësishëm për ne”.
Ish-trajneri i kombëtares italiane ka bërë edhe një koment për Napolin e së ardhmes: “Moduli? Pasi skuadra të jetë ndërtuar përfundimisht do të mendojmë për mënyrën se si do të luajmë, pasi tani këto diskutime janë të kota. Napoli kameleon? Të gjitha skuadrat janë kështu, trajnerët përpiqen t’i mësojnë lojtarët e tyre që të dinë të përshtaten me kundërshtarët që kanë përballë, kështu që, sa më shumë njohuri ke, aq më të shumta janë mundësitë për të fituar”.
Në fund, Donadoni ka fiksuar objektivat për sezonin 2009/2010: “Dua një skuadër që di të rritet me kalimin e kohës, të përmirësohet, dhe të bëjë më mirë në krahasim me të kaluarën. Do të luajmë, duke patur këtë objektiv në mendje. Deri tani presidenti De Laurentis mi ka plotësuar objektivat në merkato, të cilat s’do të ndalojnë këtu. Kemi kohë deri në fund të gushtit për të formuar një skuadër të fortë, por unë dëshiroj që t’i kem të gjithë lojtarët të gatshëm me rifillimin e stërvitjes verore. Do të jetë një Napoli më i fortë në krahasim me sezonin e shkuar, për këtë jam i bindur”, - përfundoi trajneri i të kaltërve.