Ideja e Milanit, Odo te Juventusi për Trezegenë
Ka një tjetër zgjidhje për sulmin e Milanit: David Trezege. Emri i sulmuesit francez, i ndjekur që prej kohës së kalimit të tij te Juventusi, është rikthyer në tavolinat e drejtuesve kuqezinj. Trezege, i cili e ka filluar me shumë energji sezonin e tij të dhjetë italian, do të ishte një alternativë me kosto zero pas dështimeve në tratativat për Luis Fabianon. Milani ka nevojë për një sulmues të fortë në planin fizik dhe të aftë në zonë. Juvja po kërkon një lojtar krahu. Zgjidhja mund të jetë një shkëmbim mes Trezegesë dhe Masimo Odos. Mbrojtësi, i rikthyer nga huazimi te Bajerni i Mynihut, nuk është mes të parëve në listën e stiluar nga Leonardo dhe nuk ka ndërmend të kalojë një tjetër sezon pa e ditur se kur do të luajë: Botërori afrohet dhe Odo do të donte një skuadër, që mund t‘i jepte ato garanci vazhdimësie, të cilat Milani nuk ia dha. Tashmë ka refuzuar shitjen te Panathinaikosi, por është shumë e mundshme që ideja për të përfunduar në një tjetër klub italian nuk do ta linte indiferent. Për sa i përket Trezegesë (që i është propozuar edhe më parë Milanit, kur Juvja kërkonte Xhilardinon), mes francezit dhe kuqezinjve ka një lidhje antike. Projekti i Leonardos do të ishte ideali për ta rikthyer në majë. Pra, të dy lojtarët janë në favor të realizimit të këtij shkëmbimi. Për momentin shkëmbimi është më shumë se një ide, por më pak se një tratativë. Akoma nuk janë hapur diskutimet, por Galiani dhe drejtuesit e Juventusit janë shprehur për këtë mundësi. Dhe duke parë raportet miqësore mes dy klubeve, gjithçka të bën të mendosh se projekti mund të realizohet, gjithnjë nëse Milani ose Juve nuk do të arrijnë objektivat e tyre parësore për sulmin dhe mbrojtjen. Por për momentin vështirësitë për të arritur te Luis Fabiano ose te Groso nuk mungojnë, edhe pse kalimi i Sisokos nga Porto te Lioni duket se e liron në një farë mënyre mbrojtësin italian, i cili dëshiron të largohet nga Franca për të qenë më afër syve të trajnerit të Italisë, Marçelo Lipit. Ajo e interesimit të Milanit për Trezegenë është një histori e vjetër prej gati dhjetë vjetësh. Ndonjëherë ka qenë Milani ai që ka bërë një hap përpara, disa herë të tjera Juve, kur synonte tratativa për të arritur te sulmues më të rinj, si Borrielo o Xhilardino. Deri tani nuk ishte bërë asgjë, por Juve gjatë kësaj periudhe e ka nxjerrë në merkato francezin, dhe mundësia për ta parë me bluzën e kuqezinjve është shumë më konkrete se disa vite më parë. "Kur duhet të blej një sulmues, unë shikoj shifrat", përsërit Galiani. Shifrat e Trezegesë janë shumë domethënëse: gjithmonë në vendet e para të klasifikimit të golashënuesve të Serisë A.