17 korrik 2009
Galiani nuk heq dorë nga Luis Fabiano
Ne bëmë një ofertë që e cilësojmë të drejtë, nëse pastaj 14 milionë eurot duken qesharake për presidentin e Seviljes, lum si ai”. Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, replikon ndaj deklaratave të fundit të presidentit të andaluzianëve, Del Nido, që e ka cilësuar qesharake ofertën e kuqezinjve për Luis Fabianon: “Bisedimet ecin përpara, - vazhdoi Galiani, - edhe pse jemi shumë larg në nivelin ekonomik. Të shohim, për momentin, kështu jemi”. Ai që nuk do të niset ndërkohë është Andrea Pirlo, i blinduar nga administratori i deleguar i kuqezinjve: “Nuk ka nisur asnjëherë ndonjë bisedim me Çelsin për Pirlon, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë ofertë, problemi nuk ekziston. A do të qëndrojë te Milani? Besoj, pikërisht që po. Sa u takon të tjerëve, kemi kohë të flasim deri më 31 gusht, afati i fundit i merkatos. Nuk premtoj surpriza, por do të shihni një Milan të fortë”.