Trajneri i Juventusit, Çiro Ferrara, preferon të mos i karikojë së tepërmi me përgjegjësi lojtarët e rinj që i janë bashkëngjitur skuadrës së “Zonjës së Vjetër” për sezonin që vjen: “Nuk është se pres shumë nga lojtarët e rinj që na kanë ardhur në skuadër, pastaj nuk dua t’u ngarkoj shumë përgjegjësi. Pres që Diego me shokë të ingranohen dalëngadalë me grupin”. Trajneri bardhezi, me të zbarkuar në Spanjë, ku ndodhet për turneun miqësor ‘Peace Cup’, i ngacmuar nga gazetarët spanjollë mbi përforcimet e Juventusit, në veçanti për Diegon, që vazhdon të ketë probleme muskulore, thotë: “Diego ka filluar të punojë me topin. Shpresojmë ta aktivizojmë gjatë këtij turneu. Ne na intereson ta fitojmë këtë turne miqësor, sepse nëse e realizojmë këtë, do të thotë se kemi punuar mjaft mirë gjatë këtyre ditëve”. Pra, Ferrara kërkon të ngrejë kupën e tij të parë me Juventusin, mirëpo më parë i duhet të përballet me Real Madridin, nëse do që ta fitojë këtë trofe: “E mirëpresim atë përballje me Realin. Për ne data 31 korrik do jetë momenti më i mirë për t’u ndeshur me ta. Reali është një klub i madh, por nuk ka asgjë më shumë nga Juventusi, Interi, Milani, Mançesteri e Barcelona. Do jetë fusha ajo që do tregojë se cili është më i forti. Personalisht jam dakord me Platininë, që dëshiron t’u japë të gjitha klubeve mundësinë për të pasur shanse të barabarta. Për mua futbolli është sport, jo biznes”. Ndërkohë në shtëpinë bardhezi vazhdon të diskutohet për transferimin e mesfushorit Poulsen, për të cilin Ferrara shpreh mendimin e tij në mënyrë të qartë. “Meqenëse reparti i mesfushës është i kompletuar, preferova ta lë në Torino. I takon atij ta vlerësojë të ardhmen, nëse është më mirë këtu apo në një skuadër tjetër. Megjithatë, Poulsen deri tani është sjellë si profesionist”, kathënë tekniku bardhezi Çiro Ferrara.