19 korrik 2009

Bunjaku premton profesionalizëm

Albert Bunjaku është zgjedhur të shtunën selektor i përfaqësueses së Kosovës. Trajneri kosovar, i cili jeton qe një kohë të gjatë në Suedi, ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Federatën e Futbollit të Kosovës, ndërsa u përmend edhe opsioni për vazhdimin e saj eventual edhe për dy vjet të tjera.Pasardhësin e Edmond Rugovës e ka prezantuar të shtunën në një konferencë për shtyp, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri. “Pas konsultimeve me Këshillin Profesionist, në mënyrë unanime, me Komitetin Ekzekutiv vendosëm që ta zgjedhim Albert Bunjakun si selektor. Ai është trajner që i posedon të gjitha licencat e mundshme të UEFA-s. Kemi nënshkruar marrëveshje dyvjeçare, e më pas do të vendosim për një kohë më të gjatë. Me gjithë vështirësitë me të cilat përballemi, do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë, për një të afërme të shkurtër, kur të pranohemi ndërkombëtarisht”, deklaroi Vokrri.Albert Bunjaku ndihet i gatshëm për sfidën e re. Ai tash e 8 vjet ishte bashkëpunëtor i ngushtë i kësaj Federate. “E falënderoj FFK-në për besimin e dhënë. Do të përpiqem që me profesionalizëm dhe me përkushtim, ta udhëheq ekipin sa më mirë. Për të arritur suksese, duhet të kemi relacione të mira me trajnerë dhe me bashkëpunëtorë nga jashtë. Jam i vetëdijshëm me gjendjen në të cilën gjendet futbolli kosovar, por pikërisht kjo gjendje më ka shtyrë që të kyçem dhe të kontribuoj. Është një moment i rëndësishëm, jam i përgatitur për një aventurë afatgjatë. Duhet të përgatitemi për bashkëjetesë, e jo vetëm për martesë. Sepse, e dimë që herët apo vonë, do të pranohemi ndërkombëtarisht”, deklaroi fillimisht Bunjaku. Selektori i ri i Kosovës i përmendi disa pika, te të cilat do të bazohet në planprogramin e tij. “Duhet të fillojmë me edukimin e kuadrove të reja, ta rrisim së bashku cilësinë e ligës së Kosovës, të organizojmë kampingje brenda dhe jashtë Kosovës, në mënyrë që t’i integrojmë në skuadër edhe futbollistët që luajnë jashtë. Duhet të kemi durim dhe së bashku do ta arrijmë një objektiv të qëndrueshëm”, shtoi Bunjaku, i cili tregoi se nuk i ka zgjedhur ende ndihmësit e tij.Në emër të Këshillit Profesional të FFK-së, kryetari Ajet Shosholli e konsideroi si personin e duhur Albert Bunjakun, për ta udhëhequr përfaqësuesen e Kosovës.