Mesfushori anglez paraqitet në Los Anxheles me skuadrën Galaksi, por paralajmëron: Dua të luaj në Europë para Botërorit
Skuadra e Galaksisë ka zgjidhur Hobokenin, qytetin e Frenk Sinatrës, përballë spektakolaritetit “skyline” të Manhatanit për të promovuar mediatikisht David Bekhamin pas më shumë se shtatë muajsh (në kampionat ka debutuar mbrëmë kundër Red Bulls në “Giants Stadium”). Dhe Beksi, thuajse sikur të mos ishte larguar asnjëherë, sulmon si Sinatra: “Unë dua të jem pjesë e këtij klubi”. Pra, pavarësisht nga qëndrimi pakmujor te Milani, ai thekson se është sërish gati të vazhdojë aventurën në kampionatin amerikan. “Sepse herët a vonë, futbolli do të shpërthejë edhe këtu dhe unë dua të jem në një farë mënyre protagonist”, - shtoi mesfushori anglez.
Buzagaz dhe i veshur me tutat e uniformës të klubit Galaksi, Davidi duket se nuk ndihet shumë “fajtor” që e la Los Anxhelesin e tij në një moment të vështirë: “Nuk kam pse t’u kërkoj falje tifozëve: kur mbaj veshur këtë fanellë, jam totalisht i përkushtuar për të, - shpjegon Bekham. - Dhe kur shkova në Itali, kam qenë i ndershëm: kam dhënë gjithnjë shpjegime të qarta, asnjë keqkuptim.
Dhe gjithsesi, pyesni çdo lojtar të kampionatit amerikan se çfarë do të bënte nëse e kërkonte Milani? Në fund të dhjetorit unë do të largohem sërish. Do të shkoj te kuqezinjtë? Nuk kam një marrëveshje të shkruar, por Milani më kërkon. Do të bëj gjithçka për të marrë pjesë në “Botërorin 2010″ dhe për t’ia dalë duhet për forcë të luaj të paktën gjashtë muaj në një skuadër europiane”.
Në “Los Angeles Times”, Bekhami kishte deklaruar që nëse Milani do të rimendohej, do të ishin gati ofertat e dy klubeve të Premier Ligës. Po çfarë Milani do të gjejë Davidi në Krishtlindje pa Kakànë dhe Ançelotin? “Në skuadër luajnë akoma lojtarë të ndryshëm mes më të fortëve në botë, - përgjigjet anglezi për kuqezinjtë.
- Nuk më duket e çuditshme pse të mos e synojnë titullin. Pastaj është në fatin e klubeve të mëdha të humbasin yjet e tyre. Më besoni, Kakà ishte i dashuruar me fanellën kuqezi, por të gjithë “big”-ët në një farë mënyre largohen, është në “Adn”-në e kampionëve. Shikoni Kristiano Ronaldon! Edhe unë, vite më parë e bëra një zgjedhje të tillë”. Me ndershmëri dhe profesionalizëm: “Sepse në mëngjes kur ngrihem nga shtrati duhet të shihem në pasqyrë”.