01 korrik 2009

Basel liron Gjasulën

Edhe pse kishte kontratë deri në vitin 2012 me Basel, Jurgen Gjasula është lënë i lirë nga klubi i tij, i cili ia ka shkëputur kontratën, vetëm pas një vit qëndrimi. Trajneri i ri i Basel, Thorsten Fink nuk llogaritë në futbollistin shqiptar, andaj ka vendosur ta lë të lirë atë. Mesfushori ofanziv ka mbetur i shokuar me vendimin e klubit zviceran. “Ky ishte një lajm shokues për mua. Unë kam menduar se kur arrin një trajner i ri, për çdo futbollist është mundësia që të fillojë nga zeroja. Trajneri i ri nuk e ka bërë asnjë llaf me mua. Me të vërtet nuk i di arsyet e këtij vendimi”, ka thënë Gjasula për të përditshmen zvicerane Blick. Në anën tjetër, trajneri Fink thotë se e kupton zhgënjimin e Gjasulës. “Unë i kam arsyet e mia se pse e kam lënë të lirë. Megjithatë, e kuptoj zhgënjimin e tij”, tha Fink. 14 muaj më parë, Gjasula ishte pjesë e St Gallen, prej nga u transferua tek Basel, ku nuk mundi ta shfaqte gjithë atë që dinte. Talentin e këtij futbollisti e kishte zbuluar ish trajneri i Freiburg, Volker Finke, i cili në vitin 2004, ia kishte mundësuar 18 vjeçarit Gjasula të debutonte në Bundesligën gjermane. Finke e konsideronte Gjasulën si “Michael Ballack i ri”. Pas eksperiencave jo dhe aq të mira në Zvicër me skuadrat St. Gallen e Basel, mesfushori Gjasula dëshiron ta vazhdojë karrierën në futbollin gjerman.