19 korrik 2009

Adriano befason: Jam gati të luaj me Milanin

Pas deklaratave të menaxherit të tij, ish-interisti lë hapur mundësinë për te “Djalli”: Nuk do të kisha asnjë problem
Pas fjalëve të lëshuara para dy ditësh nga Zhilmar Rinaldi, që hapi mundësinë e një rikthimi të Adrianos në Itali mes radhëve të Milanit, vjen dhe mendimi i vetë sulmuesit brazilian. “Perandori” ka dalë dhe hapur dhe nga Brazili deklaron: “Në fillim synoj “Botërorin 2010″ dhe pastaj të kthehem në Europë në një skuadër të madhe, - tha ish-interisti.
- Po, mund të jetë edhe Milani skuadra e ardhshme, sepse nuk do të kisha probleme të pranoja një klub kaq të rëndësishëm si ai kuqezi”. Sipas burimeve të këtyre ditëve, Adriano mund të transferohet te Milani duke nisur që nga qershori i 2010-ës, pasi të ketë fituar të drejtën të riveshë fanellën e kombëtares braziliane për Botërorin në Afrikën e Jugut. Pikërisht para dy ditësh, menaxheri i ish-interistit, nuk e përjashton idenë e rikthimit
Adriano, tashmë te Flamengo në Brazil, mundet që në të ardhmen të luajë me fanellën e Milanit: “Adriano është mirë, ka humbur shumë kilogramë, - tha Rinaldi, - dhe është në formë. Ai mund të kthehet në Itali ose në Spanjë dhe besoj që është duke u menduar. Flitej për Milanin, edhe kur ai luante për Interin, ndaj s’ka asnjë gjë të keqe. Ndoshta në të ardhmen mund të vishet kuqezi, të shohim”.
Më pas Rinaldi shpjegon se edhe në kontratë, asgjë nuk e pengon brazilianin të luajë në Itali për “Djallin”: “Në kontratën e tij nuk ka asnjë klauzolë që nuk e lejon lojtarin të shkojë te Milani, - përfundon Rinaldi. - Adriano e respekton Milanin dhe nëse do mund të luajë atje. Pastaj te Milani ka shumë brazilianë, pa harruar që edhe presidenti Berluskoni e Galiani e çmojnë shumë”.
Pra, nuk përjashtohet mundësia që Adri të kthehet në Itali. Për Interin ndoshta nuk është një lajm i mirë, sepse do të ishte rasti i dytë pas atij të “Fenomenit” Ronaldo (gjithnjë nëse realizohet) kur një futbollist i famshëm largohet nga zikaltrit për të shkuar te “kushërinjtë” e urryer të Milanit. I pari që do të inatosej do të ishte pikërisht Morati.