20 korrik 2009

Zaneti: Ikën një kampion, vjen një tjetër

E ardhmja e Interit mund të rinisë nga Samuel Eto. Konfirmimi vjen edhe nga Havier Zaneti, i cili para se të hipte mbi avionin që e solli dje nga Buenos Aires drejt Los Anxhelesit për t’u bashkuar me shokët në stërvitjen amerikane, e komentoi kështu ardhjen e mundshme të sulmuesit kamerunas. “Në vend një kampioni si Ibrahimoviç, vjen një tjetër si Eto, që është një golashënues i madh”. Kapiten Zaneti ka promovuar më pas edhe dyshen e re të formuar tashmë, Eto-Milito: “Do të formojnë një dyshe të përsosur, do të përshtaten në mënyrë të mrekullueshme”. Ambicja e kapitenit zikaltër në prag të sezonit të ti, është ajo që do të paraqitet më mirë se në vitin e shkuar… “Dëshira është ajo që të kryesojmë edhe në nivelin ndërkombëtar, - u shpreh Zaneri, i cili luan prej 13 vjetësh me fanellën e Interit. - Po lind një skuadër më e fortë, në nivelin e klubve të mëdha të Europës. Sigurisht, të luftosh për të fituar Championsin, nuk do të jetë gjë e lehtë, sepse të gjitha pretendentet janë përforcuar, por ne po luajmë shumë mirë dhe jam optimist”.