20 korrik 2009
Taçi, 15 milionë euro për aksionet e Bolonjës
Pas konfirmimeve nga të gjitha krahët se Rezart Taçi është në listën e blerësve potencialë të aksioneve të Bolonjës, tashmë është zbuluar edhe shifra. Operacioni, sipas të cilit manjati shqiptar i naftës do të zotërojë 60-80 për qind të klubit të Serisë A, është rreth 15 milionë euro. Familja Menarini, pronare e kuqebluve, po zhvillon prej kohësh negociata me njeriun që ka lidhje të forta në futbollin italian (për t‘u theksuar miqësia me presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni dhe administratorin Galiani): shqiptari shihet si një investitor që do të nxjerrë skuadrën nga kriza financiare. Taçi mbështetet edhe nga tifozeria e Bolonjës, që shpreson në rilindjen e klubit. Problemet ekonomike nuk janë të panjohura te Bolonja, që vetëm në javën e fundit të kampionatit të kaluar, arriti të siguronte mbijetesën në elitën e futbollit përtej Adriatikut. Në fakt, klubi ka falimentuar në vitin 1993, vetëm pak javë pasi skuadra ra për herë të tretë në harkun e 11 vjetëve në Serinë C1 (Kategorinë e Tretë në Itali). Drejtuesit aktualë kishin në dispozicion 5 milionë euro për merkaton e verës, megjithatë fondet shteruan shumë shpejt. Pas katër blerjeve, në arka kanë mbetur vetëm 2 milionë euro, ndërkohë që trajneri Papadopulo kërkon blerjen e të paktën pesë ose gjashtë lojtarëve të tjerë, për të përballuar me sukses sezonin e ri.Megjithatë, marrëveshja me Taçin ende nuk është arritur. Gazeta "Il Resto del Carlino", pjesë e "Il Sole 24 ore" shprehej skeptike rreth publikimit të mjaft detajeve nga bisedimet dypalëshe: "Historia e ndryshimit të pronësisë së klubeve na mëson se me sukses mbyllën vetëm ato negociata, për të cilat në fillim është shumë e vështirë të mësosh detaje. Referencat e z. Taçi janë të shkëlqyera, por askush, madje as një person i cili zotëron një zinxhir karburantesh, që mbulon të gjithë vendin e tij, madje edhe e rafinon naftën, nuk bën blerje me symbyllur. Nëse shitësi dhe blerësi potencial nuk kanë punuar në sekret të plotë, firma në kontratë është e mundur, por nuk mund të shihet si punë e përfunduar". Te Bolonja është zgjatur edhe hija e Luçiano Moxhit, të akuzuarit kryesor në skandalin "Calciopoli". Tifozët janë shprehur kundër tij, pronarët kuqeblu kanë mohuar çdo kontakt, por ish-drejtuesi i Juventusit shihet si rivali i vetëm i biznesmenit shqiptar. Ndërmjet Taçit dhe Moxhit nuk ka "mundje krahu", për të nxjerrë më të fortin: këto janë dy rrugë paralele, ku afrimi i njërit personazh do të nxirrte jashtë skenës tjetrin. Vendimi i takon vetëm presidentes Françeska Menarini, e cili duhet të zgjedhë ndërmjet sponsorit të Gramozit, debutues në Superiore dhe "Big Luçianos". E para nënkupton shitjen e pjesës më të madhe të aksioneve, ndërsa alternativa tjetër, qëndrimin si drejtuese e vetme, e ndihmuar nga fondet e financuesve të siguruar nga Moxhi, i cili do të ketë edhe rolin e këshilltarit të pronarëve.