04 korrik 2009

Milan, mision për Luiz Fabianon

Tashmë, edhe shpresat e fundit duket se janë shuar: Milani është i detyruar të heqë dorë nga Edin Dzeko, që do të qëndrojë tek Volfsburgu. Pasi është humbur sulmuesi boshnjak, klubi kuqezi nuk ka humbur kohë dhe ka filluar punën në drejtim të Luiz Fabianos. Dyshja Galiani-Braida është nisur për në Sevilje për të negociuar blerjen e sulmuesit brazilian. Ofrohen 20 milion euro, teksa spanjollët kërkojnë 30 milionë. Pra, diferenca ekonomike është akoma e madhe, por udhëtimi i befasishëm i kuqezinjve drejt Spanjës e ka afruar shumë Luiz Fabianon me Milanin. Golashënuesi më i mirë i edicionit të fundit të Kupës së Konfederatave që u fitua nga Brazili, është favorit në krahasim me konkurrentët e tjerë, Klas-Jan Huntelar dhe Emanuel Adebajor. Luiz Fabiano, që do të mbushë 29 vjeç në muajin nëntor, ka avantazhin e zotërimit të pashaportës komunitare, një avantazh ky që Milani mund ta shfrytëzojë për të arritur tek Hernanes nëse Pirlo do të përfundojë tek Çelsi. Kështu, dy brazilianë të tjerë mund të zbarkojnë tek Milani, duke përforcuar një grup që ka në përbërje lojtarë si Pato, Ronaldinjo, Dida dhe Tiago Silva.