21 korrik 2009
Mançester Siti përgatit 48 milionë euro për Xhon Terrin
Interesimi i Mançester Sitit për Xhon Terrin dhe lajmet e shumta rreth ofertave milionere që sheikët janë të gatshëm të paguajnë për mbrojtësin janë bërë të padurueshme për Çelsin. Klubi i Roman Abramoviç ka kërcënuar "Sitizëns" se nëse këto presione vazhdojnë, çështja do t‘i kalojë për shqyrtim organeve ligjore në Premierligë. Megjithatë, paralajmërimi nuk ka shërbyer, pasi Siti po përgatit një ofertë më të lartë për kapitenin e bluve të Londrës. Pasi siguruan shërbimet e Karlos Tevez dhe Emanuel Adebajor, në "Istlends" kërkojnë me ngulm afrimin e një mbrojtësi, që me eksperiencën e tij do t‘i japë siguri repartit difensiv. Terri është alternativa e preferuar nga trajneri Mark Hjuxhs, që vetëm pak kohë më parë mori përgjigje negative nga Çelsi, për ofertën me vlerë 38.4 milionë euro (32 milionë sterlina). Sipas "Daily Mail", duke përfituar nga fondet e pakufizuara të sheikëve, drejtuesi i stolit është i gatshëm të shpenzojë plotë 48 milionë euro (40 milionë sterlina). Sipas burimeve pranë skuadrës nga Mançesteri, Hjuxhs do të vazhdojë të bëjë oferta për Terrin, deri në momentin kur 28-vjeçari do të deklarojë publikisht se çfarë dëshiron të bëjë në të ardhmen: t‘i përkushtohet skuadrës së Ançelotit, apo të largohet nga "Stemford Brixh". Objektivë të tjerë të Sitit për mbrojtjen janë edhe Xholeon Leskot i Evertonit dhe Kolo Ture i Arsenalit.