Trajneri kuqezi, edhe në SHBA, ka folur për sulmuesin brazilian, të cilin e sheh si objektivin kryesor
“Luiz Fabiano është padyshim një lojtar i mirë dhe nuk do të ishte një bast”. Këto kanë qenë fjalët e trajnerit të Milanit, Leonardo, për Luiz Fabianon. Sulmuesi brazilian i Seviljes është objektivi kryesor i merkatos së kuqezinjve, që tashmë kanë zbarkuar në Los Anxheles të SHBA-së për një turne veror. Milani ka zhvilluar menjëherë një seancë stërvitore. Dhe ka patur, ndër të tjera, vizitën e ish-shokut të skuadrës Devid Bekham. “Luiz Fabiano është sulmuesi i kombëtares braziliane, - ka thënë trajneri kuqezi - dhe si të gjitha marrëveshjet e tjera duhet të ndjekë rrugën e saj. Nuk besoj se mund të përcaktohet si një bast për kampionatin tonë, sepse ai mund të kishte luajtur në Serinë A që në moshën 23-vjeçare. Ajo që i ka munguar ka qenë një skuadër e madhe”. Marrëveshja me Seviljen ka disa vështirësi për t’u mbyllur: “Nëse nuk do të vijë, do të shohim”. Para se të hidhej në sulm për Luiz Fabianon, Milani ka kërkuar një lojtar tjetër. “Emri i tij është përmendur pas atij të Dzekos”, ka thënë Leonardo, duke ju referuar sulmuesit boshnjak që është blinduar nga Volfsburgu. “Ishin dy lojtarë që ne na interesonin, por duhet të kujtojmë edhe se Milani nuk futet në merkato për të blerë vetëm një emër. Nëse e bëjmë një gjë të tillë është sepse na intereson, përndryshe mund të qëndrojmë edhe kështu si jemi. Kemi një skuadër të mirë dhe nuk duhet të nxitohemi”. Ndërkohë, nëse do të kishte vështirësi në arritjen e një marrëveshjeje me Seviljen për Luiz Fabianon, klubi kuqezi, në bazë të shtypit italian, duket se është interesuar edhe për sulmuesin e Romës Mirko Vuçiniç. Në marrëveshjen që do të mund të çonte malazeasin tek kuqezinjtë mund të përfshihet edhe lojtari i ri i krahut Injacio Abate, që pëlqehet nga Luçiano Spaleti dhe që është kërkuar më parë borxh nga verdhekuqtë.