Juventusi frenon. Seko: Trezege te Milani? Kurrë
Që sulmuesi i njohur David Trezege është në merkato, kjo është gjë e ditur tashmë për të gjithë. E njohur për momentin është edhe vlera e kartonit të bomberit francez të Juventusit: klubi bardhezi nuk do të privohet nga sulmuesi më efikas i huaj në kampionatin italian në gjithë historinë e "Zonjës së Vjetër", prandaj aktualisht i ka vënë një çmim prej 10 milionë eurosh. Në një moment të parë dukej se Trezege, kontrata e të cilit me Juventusin do të skadojë më 30 qershor 2012, do të largohej në drejtim të Lionit. Por klubi kampion i shumëfishtë i Francës nuk gjeti dot një marrëveshje me skuadrën italiane bardhezi në lidhje me çmimin e futbollistit, i cili në sezonin e fundit u prek shumë nga dëmtimet dhe nuk mundi të japë ndihmën e tij në ecurinë e Juves. Në ditët e fundit janë të shumtë zërat në qarkullim, sipas të cilëve sulmuesi është në merkato dhe mendohet shumë pranë kalimit në radhët e skuadrës së Milanit, që duket se është shumë e interesuar për ta pasur atë në dispozicion të trajnerit të ri, brazilianit Leonardo. Kuqezinjtë italianë i kanë bërë edhe një ofertë klubit bardhezi, në të cilën duket se përfshihet edhe një shkëmbim i mundshëm kokë më kokë mes bomberit francez të Juves dhe sulmuesit të ri italian, Marko Borrielo. Ndërkohë që askush nga klubi i shtrirë në rrugën Galileo Ferraris nuk e kishte përgënjeshtruar interesin e Milanit, as faktin që kuqezinjtë në ditët e kaluara janë paraqitur vërtet në Torino për të bërë një ofertë konkrete për Trezege. Ndërsa sot situata ka ndryshuar krejtësisht. Të shumtë janë ata që ngrenë pyetjen: A do të transferohet David Trezege te Milani? Tani Juventus e përjashton në mënyrë kategorike një gjë të tillë. Për të qartësuar një situatë të tillë, ka menduar Alesio Seko, drejtori sportiv i skuadrës bardhezi në një intervistë të dhënë për "L‘Equipe". "Nuk kemi marrë asnjë ofertë nga Milan, shpjegon Seko, por në çdo rast, edhe nëse do të merrnim, ajo do të refuzohej: Davidin e shesim vetëm në një skuadër jashtë Italisë". Strategjia e merkatos është që të mos përforcojnë rivalët direkt.