03 korrik 2009

Inzagi: Milani gati për ciklin e ri

Sulmuesi kuqezi, gjithashtu, ka zbuluar edhe sakrificën e tij ekonomike për të kaluar tek Milani

Ka shkruar “Milan të dua” në rërë. Nga plazhi i Versilias, Pipo Inzagi ka ritheksuar lidhjen e tij të ngushtë me Milanin dhe mbështetjen e plotë të projekteve të klubit. Në një goditje të vetme tifozët kuqezi kanë humbur trajnerin me të cilin ishin shumë të lidhur (Ançelotin), kapitenin e njëmijë triumfeve (Maldinin) dhe atë që duhej të ishte lideri i skuadrës për vitet e ardhshme (Kakanë). Por kanë akoma Pipo Inzagin, një thesar shumë i çmuar dhe kampionin, tek i cili duhen varur shpresat, që e ardhmja të jetë si e kaluara. E mbushur me gola dhe fitore.

- Inzagi, iu bind Milani i ri?

- Unë do të grumbullohem me ekipin me shumë entuziazëm. Nuk janë më Ançeloti, Maldini dhe Kakà, miq me të cilët kemi fituar shumë. Por kjo nuk do të thotë se e ardhmja nuk do të jetë e bukur si e kaluara.

- Pikërisht e kaluara, në një moment si ky është më mirë të harrohet apo të kujtohet?

- E kaluara duhet të na ndihmojë. Në vitin 2003 kemi fituar Champions Ligën pa Kakanë. Në vitin 2007 e kemi fituar pas largimit të Shevçenkos. Kampionët janë të rëndësishëm, por tek Milani ka një bazë italiane, që do të vazhdojë të luajë për të fituar dhe për të rihapur një cikël.

- Si e keni marrë vesh largimin e Kakasë?

- Isha në Bahamas, por me Rikin flas në telefon pothuajse çdo ditë. Më ka shkruar një mesazh mallëngjyes për të më përshëndetur dhe falënderuar për miqësinë tonë.

- Maldini ka thënë se pa Kakanë, Champions Liga nuk fitohet. Jeni dakord?

- Do të jetë më e vështirë, sepse Riki është një lojtar i pazëvendësueshëm. Por Milani do të zbresë gjithmonë në fushë për të fituar. Do të jetë një sfidë e bukur me shumë lojtarë të rinj dhe të aftë, Nestën të rekuperuar, një Tiago Silva shumë të fortë.

- Çfarë prisni nga Leonardo?

- Eshtë një njeri i zgjuar. Do të sjellë diçka të re. E di se do të punojmë më shumë me topin gjatë stërvitjes. Forca e Ançelotit ishte respekti i lojtarëve kundrejt tij dhe Leonardo mund të vazhdojë në të njëjtën rrugë pasi gëzon respektin e të gjithëve. Për një njeri që vjen nga jashtë do të kishte qenë më e vështirë. - Jeni dakord me objektivat e klubit të fiksuara nga Galiani (midis tri skuadrave të para në Serinë A dhe sa më larg të jetë e mundur në Champions)?

-Drejtuesit nuk mund të kritikohen për asgjë, mjafton të shikosh atë që kanë arritur gjatë viteve të fundit. Rifillimi nga zero vlen për të gjithë futbollin italian, jo vetëm për Milanin, por jam i sigurt se do të kemi sukses.

- Keni luajtur më parë me skemën 4-3-3?

- Ndonjëherë me kombëtaren e Italisë nën drejtimin e Donadonit. Nuk besoj se Leonardo do të përdorë vetëm këtë modul dhe gjatë fazës përgatitore besoj se do të provojë gjithçka me ndihmën e Tasotit, i cili i njeh të gjithë dhe është i aftë.

- Keni një të preferuar midis Dzekos, Adebajorit dhe Luiz Fabianos?

- Janë të gjithë të mirë, të fortë fizikisht dhe mund të na ndihmojnë shumë. Ashtu si Borrielo, që shpresoj t’i ketë zgjidhur përfundimisht problemet e tij.

- Seria A është më pak kompetitive se kampionati spanjoll dhe ai anglez?

- Eshtë një moment i vështirë, duhet të ndryshojmë mentalitetin dhe të kemi më shumë besim tek lojtarët e rinj italianë, që janë të fortë, por në krahasim me të huajt, duhet të tregojnë diçka më shumë.

- Nëse një skuadër do t’iu ofronte dyfishin e rrogës, çfarë do të bënit?

- Ka ndodhur pas finales së Championsit në Athinë kur kam marrë një ofertë marramendëse nga Amerika. Por unë dua ta përfundoj karrierën tek Milani. Kam edhe një vit në kontratë, Galiani më ka thënë se do të jem unë që do të vendos dhe konsiderata e tij për mua vlen më shumë se një kontratë.

- Por kjo është një periudhë ridimensionimi edhe përsa i përket rrogave.

- Unë kam bërë diçka në lidhje me këtë para se të vinte kriza. Dhe nuk e kam përmendur më parë sepse dua t’i bëj për vete tifozët nëpërmjet lojës time. Por në vitin 2001 marrëveshja midis Milanit dhe Juventusit ka rrezikuar të prishet për 5 miliardë lireta: Milani ofronte 75, Juvja kërkonte 80. Atëherë, ato pesë që mungonin i kam futur unë, duke i hequr nga rroga ime në pesë vite kontratë me një miliard më pak në sezon. Duke parë se si kanë shkuar gjërat ka qenë një sakrificë shumë pak më e dhembshme dhe për të jam krenar.

- Sezonin e ardhshëm do të vini në shënjestër Mylerin, Van Bastenin dhe Roberto Baxhion. Cili rekord është më i rëndësishëm për ju?

- Të gjithë! Nëse mendoj se mund të lë pas legjenda të tilla të futbollit, filloj të dridhem nga emocionet. Por si gjithmonë objektivi im i parë është t’i shërbej Milanit.

- Cili është komplimenti më i bukur që keni marrë nga një jo- milanist?

- Pak kohë më parë kam takuar Moratin që më ka thënë: ‘Je pengu im më i madh’. Kur kam qenë tek Atalanta kam qenë shumë afër Interit. Më pas erdhi Juventusi dhe historia ime ndryshoi. Por fjalët e Moratit janë një vlerësim i rëndësishëm për karrierën time dhe jam krenar për këtë.