Ferrara: Braziliani ka gabuar rëndë
Trajneri i Juventusit, Çiro Ferrara, në fundin e miqësores me Viçencën, ka qenë i acaruar: “Janë thënë disa fjalë që nuk duheshin thënë, por veprimi i Amaurit ka qenë një gabim i madh. Nuk duhet të përsëritet më. Mund të na kishte kushtuar shtrenjt. Ai ka kërkuar falje në dhomat e zhveshjes, shokëve të skuadrës dhe trajnerit. Grushtin fatkeqësisht e kam parë shumë mirë, gishtin e mesit jo. Përsëris: ka qenë një gabim i madh”, ka thënë tekniku bardhezi. Këtë e ka theksuar edhe Fabio Kanavaro: “Ka gabuar dhe na ka kërkuar falje. Në fushë duhet të kontrollosh veprimet e tua, kemi disa përgjegjësi, nuk mund ta harrojmë këtë”. Mbaron me kaq? Jo, duhet të flitet edhe për çështjen Trezege. Që nuk është një çështje në të vërtetë. Sepse kur Del Piero doli nga fusha, francezi nuk e ka marrë shiritin e kapitenit. “Nuk ka asnjë refuzim, kishim vendosur më parë se i takonte Kielinit”, ka thënë Trezege.