Fanellë e padëshiruar në Newcastle
Në përpjekje të shesin atë që e përshkruan si “fanellë me stil”, Newcastle ka bërë hap të pazakontë duke ofruar 20 për qind zbritje për tifozët që e porosisin atë para të dielës. Mirëpo, mediat angleze kanë njoftuar se të enjten vetëm tre persona kanë pritur para dyqanit zyrtar të Newcastles për të blerë fanellën e re me ngjyrë të verdhë, të cilën do ta përdorë ekipi në ndeshjet mysafire gjatë sezonit të ardhshëm në Championship. Për dallim nga vitet e kaluara kur mijëra tifozë prisnin në radhë për të blerë fanellën e re të klubit, kësaj radhe interesimi ishte minimal. Tifozët e Newcastles janë të zemëruar me rënien e ekipit në Championship, përpjekjet e dështuara të pronarit Mike Ashley për shitjen e klubit si dhe fanellën “katastrofale” ngjyrë e verdhë. Po ashtu mijëra tifozë nuk kane vazhduar biletat sezonale. I pari që priste në radhë në dyqanin para stadiumit St James Park ishte Stephen Watson, 18 vjeç, nga Gateshead. Ai tha: “Nuk më pëlqen fanella, por jam tifoz i Newcastle dhe do ta blej. Por, ndoshta do ta vesh një xhemper mbi të. Nuk kam pritur të jetë kaq qetë. Kam menduar të vij herët për t’iu shmangur radhës së gjatë, por si duket nuk është dashur të brengosem”.Angela Lawrence, 38 vjeçe, dhe djali i saj Jack (10), ishin dy të tjerët që prisnin. Jack tha: “Është fanella ime e preferuar, do ta vesh gjatë gjithë kohës”. Por, tifozët e tjerë mendojnë ndryshe. Frank Gilmore, presidenti i klubit të tifozëve të Newcastle United, ka thënë: “Fanella është e tmerrshme”. Ndërsa tifozi Andrew Burnham nga Gateshead ka shtuar: “Nuk do ta përdorja as për ta larë veturën”.