Rikthehet paqja mes Adrianos e Murinjos
Pas barazimit me Xhenoan, ndërmjet trajnerit dhe sulmuesit zikaltër ka ndodhur një përplasje e ashpër, e cila detyroi portugezin të pezullonte futbollistin brazilian me motivacionin e mosimpenjimit. Mirëpo duket se tani kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët me tyre, duke i kërkuar ndjesë njëri-tjetrit. Të paktën kjo është ajo që konfirmon menaxheri i “Perandorit”, Gilmar Rinaldi, nëpërmjet një ndërhyrjeje telefonike në njërin prej emisioneve sportive italiane. “Ndërmjet Murinjos dhe Adrianos tashmë çdo gjë është zgjidhur përfundimisht dhe lojtari shumë shpejt do të rikthehet në dispozicion të skuadrës”, ka pohuar Rinaldi. Në këtë mënyrë, është hedhur poshtë hipoteza e largimit të sulmuesit brazilian nga Interi në muajin janar. “Një mundësi e tillë nuk ekziston absolutisht. Të paktën Adriano nuk ma ka komunikuar kurrë një gjë të tillë, - ka theksuar menaxheri i futbollistit brazilian. - Rinovimi i kontratës? Nuk kemi nisur ende bisedimet me Interin për këtë çështje, por gjithsesi dua t’u deklaroj se dëshira e Adrianos është të qëndrojë përjetë te Interi. Këto ditë ai është shumë i lumtur edhe si rrjedhojë e grumbullimit me kombëtaren e Karlos Dungës”, përfundon Rinaldi.