05 nëntor 2008

Laporta: Po bëhet fushatë kundër nesh

Presidenti i Barcelonës, Hoan Laporta, është shfaqur i kënaqur për kualifikimin, por mbi të gjitha i indinjuar për episodin e fundit që ka të bëjë me përshtypjen e Leo Mesit ndaj një lojtari të Malagës gjatë ndeshjes së fundit të kampionatit. “Më duket se jemi duke luajtur shumë mirë dhe të tjerët që nuk ia dalin ta bëjnë këtë, po sistemojnë vëmendjen e tyre te gjyqtarët. Kjo ka ndodhur edhe në rastin e Mesit. Janë gjëra ekstrasportive, që nuk kanë të bëjnë aspak me fushën dhe përmirësimet tona”. Kreu katalanas u ka dedikuar një batutë shigjetuese klubeve, që përqendrohen te sjellja e lojtarëve në fushë: “Ne nuk i përkushtohemi gjuetisë së episodeve të mundshëm të skuadrave rivale për të ndëshkuar lojtarët e tyre...”. Këtë ka thënë, duke iu referuar natyrisht, Realit. Ndërkohë, gjatë një interviste në programin francez ‘Stade 2’, Karim Benzema ka deklaruar se sezonin e ardhshëm do të luajë në një nga ekipet e mëdha të Ligës spanjolle. “Më pëlqen Spanja – duhet të ketë thënë sulmuesi 20-vjeçar i Lionit. - Sezonin e ardhshëm do të luaj te Barcelona, ose Real Madridi”. Zëra brenda Barcelonës konfirmojnë kontaktin midis klubit katalanas dhe Benzemës, i cili duhet të jetë objektivi i parë i merkatos së ardhshme. Aq sa për të mbërritur te asi i Lionit, Guardiola është gati të heqë dorë nga Tierri Hanri. Presidenti francez, Aulas, ka blinduar “diamantin e tij” me një kontratë që skadon në vitin 2013, prandaj për të siguruar Benzema, mund të duhet një sforcim prej rreth 100 milionë eurosh.