05 nëntor 2008

Hulio Kruz shpëton Interin

Spektakël dhe gjashtë gola në Qipro. Interi nuk arrin të shkojë më larg se barazimi 3-3 me debutuesit e Ligës së Kampioneve, Anorthosis. Kruz është shpëtimtari i kampionëve të Italisë, i cili falë një goli, vetëm dhjetë minuta nga fundi i takimit, i lejon Zhoze Murinjos të dalë me një pikë nga Qipro, por mbi të gjitha mbyll përfundimisht mosmarrëveshjet e tij me teknikun portugez. Një tjetër protagonist i kësaj ndeshjeje, në të mirë e në të keq, është padyshim portieri i përfaqësueses shqiptare, Arjan Beqaj. Numri 1 i kuqezinjve ndalon disa herë suedezin Zlatan Ibrahimoviç, por kjo nuk mjafton pasi në dy prej tri golave të pësuara nga Anorthosis, Beqaj duhet të mbajë përsipër përgjegjësinë e fajit. Gjithsesi, italianët kalojnë shumë shpejt në avantazh me Balotelin në minutën e 13-të, por vendësit, të karikuar nga publiku i tyre gjejnë barazimin me Bardon. Por nuk përfundon këtu, Marko Materaci, 60 sekonda nga përfundimi, do të kalojë sërish në avantazh Interin, por një kundërpërgjigje e shpejtë e qipriotëve brenda kohës së rregullt me Panagi mbyll 45 minutat e para në barazim 2-2. Pjesa e dytë sheh si protagonistë vendësit, të cilët hidhen në sulm në kërkim të një fitoreje, që do të ishte historike për ta. Këmbëngulja e tyre do të vlerësohet në minutën e 50-të, kur Frousos mposht Hulio Sezarin për të tretën herë në këtë takim. Nga ky moment nis një festë e jashtëzakonshme për vendësit, por ai që mendon për të prishur këtë atmosferë festive është sulmuesi argjentinas i kampionëve të Italisë, Hulio Rikardo Kruz, i cili me një gol me kokë dhjetë minuta nga fundi baraspeshon situatën e takimit dhe i fal një pikë Interit.