04 nëntor 2008

Gerrard shpëton Liverpoolin në çastet e fundit

Një penalti e dyshimtë e akorduar në minutat shtesë të ndeshjes, i ka sjellë një pikë Liverpoolit në derbin e grupit D të Ligës së Kampionëve përballë Atletico Madridit, derisa Marseille ka shënuar fitore ndaj PSV në ndeshjen tjetër të këtij grupi.
Spanjollët kaluan në epërsi në fund të pjesës së parë me anë të golit të shënuar nga Maxi Rodriguez (37’), por kur u mendua se tre pikët do të shkonin për Atleticon, në favor të anglezëve u akordua një penalti, pas një ndërhyrje të dyshimtë të njërit prej mbrojtësve mysafirë ndaj Steven Gerrard, në minutat shtesë të ndeshjes.Kapiteni nuk huqi nga pika e bardhë, për të nxjerrë një pikë për Liverpoolin.Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Marseille i Lorik Canës ka fituar bindshëm në fushë të vet ndaj ekipit holandez PSV Eidhoven, me rezultat 3-0. Golin e parë për francezët e shënoi Kone pas gjysmë ore lojë, i cili edhe asistoi në golin e dytë, të shënuar nga Niang (63’). Ky i fundit shënoi edhe golin e dytë dhe të fundit të ndeshjes pas tetë minutash tjera (71’). Atletico mbetet në krye të grupit D me shtatë pikë, sa ka edhe Liverpool. Dy ekipet tjera, Marseille dhe PSV, mbajnë dy pozitat e fundit me nga tre pikë.