Skuadra e Romës më në fund i është gëzuar fitores edhe atë kundër skuadrës së fuqishme të Chelseat të cilën e ka mposhtur në Stadio Olimpico me rezultat 3-1.Giallorosët patën një shtytje të madhe për këtë takim pasi simboli i klubit romak, Francesco Totti, arriti që të luajë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën nga kryeqyteti italian. Edhe pse nuk ishte i rikuperuar sa duhet, vetë prania e Tottit në fushë ofronte një vetëbesim te skuadra vendase duke pasur parasysh se gjithçka te Roma është ndërtuar në bazë të shtyllës, ‘Grande’ Totti.
Roma e filloi takimin me një motivim më të madh duke arritur të krijojë raste që në minutat e para të ndeshjes, mirëpo goli i parë në takim u pa vetëm në minutën e 34 kur mbrojtësi veteran, Christian Panucci e mposhti portierin e Chelseat, Petr Cech. Pjesa e parë përfundoi me diferencë minimale, 1-0 në favor të skuadrës vendase. Me të filluar pjesa e dytë (48’), njeriu i ndeshjes në këtë takim, Mirko Vucinic i cili dyfishoi epërsinë me një gol të bukur, pas asistimit të Brighit.
Dhjetë minuta më vonë një solo aksion i Vucinic e gjeti sulmuesin malazez ballë për ballë me portierin Cech të cilin e mposhti për ta trefishuar epërsinë e romakëve. Krejt çka arriti të bënte Chelsea në këtë takim ishte një gol i shënuar nga kapiteni John Terry në minutën (75’).
Edhe pas kësaj humbjeje Chelsea mbetet në vendin e parë me shtatë pikë, ndërkohë që Roma dhe Bordeaux ndajnë vendin e dytë me nga gjashtë pikë, pasi Bordeaux shënoi fitore në udhëtim kundër Cluj, me rezultat 2-1.