Kampionët italianë kanë shënuar fitore shumë të vështirë në udhëtim te Reggina edhe pse në fillim të ndeshjes avancuan me dy gola epërsi.Në ndeshje u shënuan pesë gola, ndërsa braziliani Maicon e hapi serinë e golave me të filluar ndeshja (9’) duke ia dhënë epërsinë skuadrës mysafire. Zikaltrit dyfishuan epërsinë falë golit të Patrick Vierias në minutën 23-të. Mirëpo, nga ky moment lojën e mori në dorë skuadra vendase. Që në pjesën e parë Reggina ngushtoi epërsinë me anë të Cozzas (34’), ndërkaq në pjesën e dytë (53’) Brienza barazoi rezultatin në 2-2, i cili rezultat qëndroi deri në minutat shtesë të ndeshjes. Iniciativa në pjesën e dytë anonte më tepër kah skuadra e Regginas e cila pati disa raste të pakonkretizuara. Ndërsa Nerazzurët ishin të rrezikshëm me kundërsulme. Një gjuajtje nga këndi në minutat shtesë të ndeshjes e gjeti të vetmuar mbrojtësin Ivan Ramiro Cordoba, i cili njëherë e stopoi topin dhe pastaj gjuajti për t’ia siguruar tre pikët Interit dhe për të ndërprerë serinë e barazimeve të skuadrës së Mourinhos.