Të rinjtë kosovarë do të kenë mundësinë të stërviten nga trajnerët gjermanë e zviceranëGjermanët e Verder Bremen dhe zviceranët e FC Bazel do të zbarkojnë në Kosovë për t‘u ofruar një mundësi të madhe talenteve të vegjël të futbollit. Është pikërisht ky lajmi më interesant i ditëve të fundit, për sa i përket futbollit në shtetin më të ri në botë. "Junior Camp" - Gjithçka është zyrtarizuar nëpërmjet një konference për shtyp, të mbajtur të hënën, ku përfaqësuesit e Verder Bremen, FC Bazel, FC Prishtina dhe të SCORT (organizatë që merret me zhvillimin dhe ndihmën në futboll) kanë njoftuar se janë marrë vesh mes tyre për themelimin e një kampi të përbashkët futbolli. Kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për talentet kosovarë, të cilët do të mund t‘u afrohen klubeve evropiane, Verderit dhe Bazelit, ekipe të cilët këtë sezon marrin pjesë në Champions League. Mësohet se në këtë kamp, trajnerët e Verderit, Bazelit dhe Prishtinës do të stërvitin fëmijët dhe talentet kosovarë. Një "Junior Camp" i ngjashëm me atë "Milan Junior Camp", të zhvilluar para paka muajsh në Tiranë nga kuqezinjtë italianë.15-18 vjeçarët - "Përmes këtij kampi, që fillimisht do të zhvillohet në Kamenicë, synojmë t‘i edukojmë të rinjtë nga mosha 15-18. Njëkohësisht, përmes këtij projekti, duam t‘i integrojmë edhe fëmijët nga pakicat", tha drejtori i këtij projekti dhe marrëdhënieve me jashtë të SCORT, Mark-Andre Bukvalder. Ndërsa, në emër të FC Basel, drejtori i akademisë së këtij klubi, Benno Kaiser, ka shprehur kënaqësinë që janë pjesë e këtij projekti. "Ne, si klub, kemi organizuar kampe të tilla edhe në Izrael, ku kemi punuar së bashku me të rinjtë izraelitë dhe palestinezë. Në bazë të përvojës time, mund të them që ky kamp është shumë i rëndësishëm, pasi sporti mund t‘i bashkojë të rinjtë", deklaroi Kaiser. Edhe Bjorn Shirenbek, zëvendësdrejtor i Akademisë së Futbollit në Verder Bremen, ka thënë se i vjen mirë që janë bashkorganizatorë të kampit për të rinjtë. "Dua ta citoj presidentin e klubit tonë, Klaus-Dieter Fischer, i cili ka thënë: ‘Verder Bremen, përveç aspektit sportiv, është i përcaktuar edhe në ndihmën sociale ndaj atyre që kanë nevojë", pohoi Shirenbek.Masivizimi - Mikpritës dhe bashkorganizator i këtij kampi do të jetë kampioni aktual i Kosovës, Prishtina, zyrtarët e të cilit, pas disa konsultimeve me drejtuesit e këtyre klubeve, kanë vendosur që të themelojnë një kamp të përbashkët futbolli. "Qëllimi pjesëmarrjes së Prishtinës në këtë projekt fillimisht është për të ndihmuar masivizimin e futbollit në ato treva ku mungon puna profesionale dhe së dyti, për vënien e kontakteve me klubet me evropiane. Ky projekt vjen si vazhdimësi e përpjekjeve tona për ta vazhduar punën profesionale në klub drejt rrugës së përmbushjes së standardeve evropiane", tha sekretari i Prishtinës, Fatos Hoxha. Po ashtu, kontribut në realizimin e kësaj ideje ka pasur edhe ambasada gjermane në Kosovë dhe ambasadori i saj, Hans-Diter Shtajnbah. Ky do të jetë një rast i mirë që të edukohen, ndërsa për më të suksesshmit ndoshta do të jetë mundësi të jenë më afër këtyre klubeve evropiane. Ky kamp do të zgjasë deri në verën e vitit 2009.