23 nëntor 2008

Valladolidi befason Villarrealin

Skuadra e Valladolidit ka shkëlqyer si mysafir në El Madrigal, duke shënuar fitore bindëse me rezultat 3-0, kundër njërës nga skuadrat pretendente për titullin kampion të La Ligas, Villarreal. Mjaftoi vetëm një gjysmë lojë, që mysafirët ta shkatërronin Nëndetësen e Verdhë duke i shënuar tre gola dhe duke i dhënë fund takimit që në pjesën e parë. Ëndrra e keqe e lojtarëve me fanella të verdha sonte ishte mesfushori ofanziv i Valladolidit, Jonathan Sesma Gonzalez, i cili shënoi dy gola. Gonzalez, njëherë krijoi epërsinë në minutën 24-të, ndërsa e dyfishoi atë dy minuta pa përfunduar koha e rregullt e pjesës së parë. Golin e tretë e shënoi mesfushori tjetër, Pedro Leon, në minutat shtesë të pjesë së parë. Në pjesën e dytë nuk u panë më gola. Edhe pse skuadra vendase i bëri të gjitha zëvendësimet e mundshme, lojtarët e Villarreal nuk arritën të ndryshojnë asgjë.