23 nëntor 2008

Reali i gëzohet fitores

Kampionët e Spanjës kanë shënuar fitore shumë të nevojshme kundër Recreativo Huelvas në Santiago Bernabeu për t’iu rikthyer ndeshjeve pozitive pas disa paraqitjeve të dobëta që kanë shfaqur edhe në Ligën e Kampionëve edhe në La Liga.
Kjo fitore ka qetësuar paksa trajnerin Bernd Schuster dhe drejtuesit e Realit të cilët padyshim se do ta largonin trajnerin gjerman po të mos e fitonte këtë ndeshje. Goli i vetëm në takim u shënua nga Wesley Sneijder (39’), gjuajtja e të cilit u devijua nga mbrojtësi Beto dhe përfundoi në rrjetin e portierit mysafir, Riesgo. Me këtë fitore Real Madrid pozicionohet në vendin e dytë, dy pikë pas Barcelonës e cila nesër do ta zhvillojë ndeshjen e javës së dymbëdhjetë kundër Getafes.
Barazimi i Valencias pa gola kundër Sevillas, si dhe humbja e Villarrealit nga Valladolidi, ia sigurojnë vendin e dytë Mbretërve, së paku për një javë.