04 nëntor 2008

Spalletti: Kam frikë për fëmijët e mi!

Ka qenë një e diel e vështirë në shtëpinë e Romës. Pas stërvitjes së mëngjesit, Spaleti ka vendosur, në kundërshtim të dukshëm me klubin, ta anulojë grumbullimin e detyruar dhe t’i rikthejë lojtarët e tij te familjet e tyre. Në dalje të qendrës stërvitore ka qenë e paevitueshme përballja me tifozët që kishin ardhur për të kontestuar ekipin me kore të ndryshme dhe, në disa raste, me sharje.Spaleti ka pranuar të përballet me ta, por edhe ka denoncuar: “Kemi nevojë për qetësi. Fëmijët e mi kanë frikë”. Lodra është prishur tashmë dhe drejtuesit e klubit ndodhen përballë disa çështjeve të rëndësishmë. Marrëdhëniet me Spaletin kanë të njëjtën luhatje që ka edhe bursa. Këtë e tregon edhe anulimi i urdhrit për grumbullimin e ekipit në Trigoria.Drejtori i përgjithshëm Prade i ka urdhëruar “të gjithë në Trigoria”, trajneri tund kokën dhe thotë se kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Domethënë, lufta kundër krizës ka filluar me një mosmarrëveshje. Në orën 1 të drekës të ditës së djeshme ekipi verdhekuq, përfshi këtu dhe Spaletin, ka ekzekutuar kundërurdhrin: Prishni radhën, të gjithë në shtëpi!Kjo nuk është shenjë e mirë, ashtu si nuk është bukur të takosh në dalje të Trigorias tifozët dhe, në vend që të firmosësh autografe dhe të bësh fotografi, të hapësh një debat mbi temën “Na riktheni Romën”. “Jam i shqetësuar edhe unë, - ka thënë trajneri, - edhe lojtarët janë shumë të mërzitur për situatën e krijuar. Eshtë turpëruese, si për ne edhe për ata; në dhomat e zhveshjes i kam parë shumë të trishtuar.Lojtarët vazhdojnë të stërviten në pritje të kthesës pozitive. Janë të përqendruar në maksimum. Edhe unë jam në të njëjtën gjendje si ata, por duhet qetësi për të arritur disa rezultate të caktuara. Djali im deri tani është zënë dy herë me grushta për Romën, sepse shokët e shkollës e kanë tallur. Të dy fëmijët e mi nuk duan të dalin më nga shtëpia, pasi kanë frikë.Eshtë e vërtetë se ne bëjmë pjesë te të privilegjuarit, por në këto raste ndikohet edhe jeta personale. Kontestimi është i drejtë, por duhet bërë në mënyrë civile.” Një atmosferë e trishtuar, për të mos thënë më keq. Një peshë e rëndë mbi shpatullat e një trajneri, i cili duhet të përballet edhe me tensionet, që prej kohësh shoqërojnë disa nga pjesëtarët historikë të skuadrës.