Skuadra e Bayern Munich ka shënuar fitore të vështirë në Allianz Arena kundër Arminia Bielefeldit edhe pse fitoi me rezultat 3-1.Golin e parë në ndeshje e shënoi Miroslav Klose (25’) duke i dhënë epërsinë skuadrës vendase. Mirëpo vetëm pesë minuta më pas akordohet një penallti në favor të Armenias të cilën e shndërroi në gol Wichniarek nga pika e bardhë. Edhe pse bavarezët shfaqën një lojë shumë më të mirë, sidomos në pjesën e dytë dhe ishin vazhdimisht në ofanzivë ata e kishin të vështirë ta shënonin golin e dytë të epërsisë, pavarësisht se disa herë ishin shumë pranë golit duke e goditur edhe shtyllën. Megjithatë, mesfushori francez Frank Ribery shpërtheu në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të ndeshjes. Fillimisht shënoi golin e epërsisë (76’) pas një pasimi të Podolskit, ndërsa më vonë pas një depërtimi të tij në gjashtëmbëdhjetëmetërsh u akordua penallti. Ribery vendosi ta falënderonte Podolskin për pasimin që ia kishte bërë paraprakisht, dhe e lejoi atë që ta gjuante penalltinë, dhe nga pika e bardhë Podolski vendosi rezultatin përfundimtar 3-1.