05 nëntor 2008

Lipi ngrin Del Pieron në pritje të Amaurit

Për Alesandro Del Pieron as që bëhet fjalë të grumbullohet për momentin nga Marçelo Lipi, madje edhe kur kapiteni bardhezi shënon gol me një goditje dënimi si ajo ndaj Romës. “Del Piero duhet të qëndroj në shtëpi, – është shprehur Lipi para mikrofonave të ‘Sky’. – Ai është një lojtar, të cilit i njoh tashmë gjithçka, ndërkohë që unë dëshiroj ta rinovoj disi këtë skuadër, ndaj më duhet të zbuloj futbollistë të rinj. Ndërsa, kur të vijë momenti për të luajtur në kompeticione internacionale, do ta kem parasysh Del Pieron. Por, tani për tani, preferoj ta ndërtoj ekipin përfaqësues mbi bazën e lojtarëve të rinj. Kasano – “Çështja ‘Del Piero’ është ndryshe nga Kasano. Aleks është 34 vjeç dhe me një karrierë fantastike mbi shpatulla, – thotë Lipi. – Ndërsa Kasano është si gjithë lojtarët e tjerë të Serisë A. Ai nuk duhet të mërzitet, nëse unë nuk e grumbulloj një herë, dy apo pesë herë. Jam unë ai që bëj seleksionimin e lojtarëve të kombëtares. Për rrjedhojë, atëherë kur do ta shoh të arsyeshme, do ta grumbulloj”. Amauri, në pritje të pasaportës – Trajneri i kombëtares braziliane, Dunga, e ka injoruar edhe një herë tjetër sulmuesin e Juventusit, ndërkohë që Marçelo Lipi pret. Ose më mirë, pret deri sa Amauri të marrë pasaportën italiane për ta grumbulluar më pas me përfaqësuesen “axurre”. “Kam folur vetëm një herë me Amaurin, – rrëfen kreu i pankinës italiane. – I kam thënë se në momentin kur do natyralizohet italian, vetëm atëherë do ta marr në konsideratë mundësinë për ta grumbul- luar me përfaqësuesen”. Skuadrat me futbollistë italianë – Lipi është shumë i kënaqur për skuadrat surprizë që mbart në vetvete ky kampionat. Ja si shprehet ai për to: “Më pëlqen se si po luajnë futboll skuadrat e dorës së dytë, të cilat për momentin po pozicionohen në tri vendet e para të klasifikimit. Atalanta, Xhenoa dhe Katania gjatë fillimit të kampionatit shkëlqyen, ndërkohë që tani Napoli dhe Udineze, falë lojtarëve e trajnerëve italianë po shpalosin një futboll fantastik. Mua, si trajner i kombëtares, duke parë se skuadra si Napoli dhe Udineze kanë në organikën e tyre lojtarë mjaft të mirë me kombësi italiane, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të zgjedh”. Milani në krye nuk është një surprizë – Për trajnerin e ekipit kombëtar italian, lidershipi i Milanit mund të jetë shumë i gjatë: “Besoj se Milani do ta udhëheqë kampionatin për shumë kohë. Janë të shumta motivet që të bëjnë të mendosh se Milani i sivjetshëm do i dedikohej 100% kampionatit. Pastaj edhe drejtuesit kuqezi, si rrallëherë, sivjet kanë deklaruar se objektivi kryesor i tyre është kampionati. Nisur nga kjo, jam i bindur se Milani do vazhdojë ta kryesojë kampionatin gjer në fund. Kishte vite që kuqezinjtë i dedikoheshin vetëm Ligës së Kampioneve dhe meqenëse sivjet ata nuk ishin pjesëmarrës në këtë kompeticion, ishte e padiskutueshme që do tentonin të bënin të pamundurën për të fituar kampionatin italian. Pastaj, mos harroni që kur Milani fokusohet tek një objektiv, arrin ta fitojë gjithmonë atë. Mjafton të shohësh se sa Liga Kampionesh ka fituar gjatë viteve të fundit”. Baloteli –Në lidhje me sulmuesin e Interit, Lipi preferon të tregohet i kujdesshëm: “Baloteli po luan mirë, por nuk e kuptoj se pse mediat po nxitohen për sa i përket grumbullimit të tij me kombëtaren. Unë jam i mendimit se Baloteli duhet të piqet akoma më shumë si futbollist”.