Lampard “Roma do luajë për jetë a vdekje”
Kapiteni i skuadrës së Çelsit, Frenk Lampard, është i bindur se përballja e dytë me Romën do jetë më e vështirë se ajo e kaluara, të cilën e fituam me rezultatin 1-0. “Ne do luajmë në një fushë të vështirë, ndaj një ekipi me futbollistë shumë cilësorë. Në ndeshjen e kaluar e kuptuam se, ndaj tyre është me të vërtetë një përballje e fortë. Për më tepër, kanë mjaft rezultate negative kohët e fundit dhe ndaj nesh do kërkojnë që të marrinpatjetër një rezultat pozitiv. Do japin më të mirën e tyre në fushën e lojës, pasi janë të vetëdijshëm që tifozët kërkojnë vetëm fitore. Gjithsesi, edhe ne do luajmë për fitore. Duhet të jemi të përqendruar në fushë dhe të përfitojmë sa më shumë nga shpërqendrimi i kundërshtarit”, ka thënë Frenk Lampard. Ndërkohë, në këtë sfidë do të jetë i gatshëm edhe sulmuesi Didier Drogba. “Ai është një sulmues shumë i fuqishëm dhe së bashku me Anelka na japin shumë siguri për repartin e avancuar. Jam i lumtur që ai u kthye”, tha Lampard.