21 nëntor 2008

City përgatit ofertën për Buffon, reagon Blanc

Mediat italiane njoftojnë se 'pasanikët' e Manchester Cityt janë duke përgatitur një ofertë marramendëse për shërbimet e portierit Gianluigi Buffon, mirëpo drejtuesit e Juves kanë thënë se numri një i tyre nuk është në shitje. Portieri i Juves është ndër të parët në listën e sheikëve të Abu Dhabi United Group, ndërsa mësohet se vlera që do t’i ofrohet Zonjës së Vjetër për të hequr dorë nga portieri më i mirë në botë, është rreth 75 milionë euro. Përveç vlerës së transferim, “Gazzetta dello Sport” shkruan se portierit italian do t’i ofrohet një kontratë pesëvjeçare me një pagë prej 15 milionë eurosh në sezon, që e bën automatikisht lojtarin më të paguar në Evropë. Gigi aktualisht është lojtari më i paguar te Zonja e Vjetër, me pesë milionë euro për sezon, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2013. Megjithatë vetëm para disa ditësh portieri bardhezi ka deklaruar se nëse Juves do t’i shërbente shitja e tij, atëherë ai vërtet do të mendojë për një largim.
Mirëpo, drejtori menaxhues i Juvenusit, Jean Claude Blanc, ka thënë se Buffon nuk do të largohet nga klubi dhe drejtuesit e Zonjës së Vjetër nuk planifikojnë shitjen e tij. “Buffon pranoi të luante në Serie B dhe gjithmonë është shprehur se dëshiron të qëndrojë këtu. Nëse ai dëshiron të qëndrojë këtu ne nuk do ta shesim”, është shprehur Blanc.