“Dua ta mund Juventusin”
Edhe pse një ish-bardhezi dhe sigurisht që kurrë nuk e ka fshehur nostalgjinë e tij për Italinë, Fabio Kanavaro tashmë është një lojtar i Realit të Madridit dhe mendon vetëm për ngjyrat e skuadrës së tij. Pikërisht për këtë arsye, në prag të sfidës së “Santiago Bernabeos”, mbrojtësi italian “tregon thonjtë”, duke urdhëruar: “Dua ta mund Juventusin. Kemi humbur sfidën e kaluar në Torino dhe ajo nuk më ka pëlqyer aspak. Si unë, ashtu edhe pjesa tjetër e skuadrës jemi të ndërgjegjshëm që do të jetë një sfidë e vështirë, por ne duam vetëm fitoren dhe jemi të bindur në arritjen e saj. Forma pozitive e Juventusit nuk na tremb, kundrejt vështirësive që ata përjetonin përpara sfidës së dy javëve më parë. Ne duam Ligën e Kampioneve, por për të synuar këtë trofe, duhet të jemi të pamëshirshëm në të gjitha përballjet, pavarësisht kundërshtarit që do të kemi përballë”, deklaron Fabio Kanavaro.