Mbrojtësi beson se Juventusi është akoma shumë larg Interit në kampionat: Për ne do të jetë viti zero
Asnjë ëndërr me sy hapur, realizëm dhe kokën e ulur. Kjo është filozofia juventine e Xhiorxhio Kielinit për sezonin 2010/11. Mbrojtësi ka folur për tema të ndryshme. Nesër do të luhet ndeshja paraeliminatore e Ligës së Europës, në Irlandë, kundër Shamrok Roversit. Nuk është saktësisht një ndeshje e madhe.
“Eshtë një javë ku punuam mirë dhe i kemi të gjitha mundësitë për të bërë një sezon të mirë, - ka thënë Kielini. - Do të jetë një vit sakrifice, do të duhet të fillojmë nga zero dhe të ndërtojmë gjithçka nga fillimi, por është normale pas asaj që ka ndodhur vitin e kaluar”. “Ka mbaruar një cikël për sa i takon drejtuesve të skuadrës, disa lojtarë janë larguar, synohet të rinovohet shumë dhe është normale që të duhet pak kohë”, ka shtuar mbrojtësi bardhezi.
“Tre vite më parë do të kishim shpresuar të ishim në një tjetër nivel, vitin e kaluar besonim se mund të fitonim diçka, por e dimë si shkuan gjërat. Tani është e drejtë të analizojmë gabimet dhe të punojmë për t’u përmirësuar”.
OBJEKTIVI CHAMPIONS LIGE - Në lidhje me objektivat në kampionat. “Realisht, duke parë edhe vitin e kaluar është e vështirë të fitosh menjëherë. Diferenca me Interin është akoma e madhe dhe edhe tifozët duhet ta kuptojnë se do të jetë një vit rindërtimi, - ka përsëritur Kielini. - Një vit zero, për shumë aspekte dhe të thuhet sot se mund të fitojmë kampionatin do të ishte një gënjeshtër. Objektivi konkret besoj se është kualifikimi në Champions dhe fakti se nuk marrim pjesë këtë vit na mërzit shumë”.
MERKATO - Kielini është përfolur shumë për një largim të mundshëm nga “Zonja e Vjetër” gjatë kësaj merkatoje, por rinovimi i kontratës mund të jetë një hap larg. “Unë jam shumë i qetë dhe po jap maksimumin. Të enjten na pret një takim i rëndësishëm, të cilin nuk mund ta nënvlerësojmë. Më pas do të takohem me drejtuesit, mund të duhet pak kohë, por marrëveshja do të arrihet, - ka thënë mbrojtësi.
- Unë jam shumë i lidhur me këtë skuadër dhe me tifozët e këtij qyteti. Kam ardhur këtu kur kam qenë 20 vjeç dhe këtu jam rritur si futbollist dhe si burrë. Besoj se do të qëndroj edhe për shumë vite të tjera, edhe pse nuk mund të premtoj asgjë, sepse varet nga klubi, por besoj se të dyja palët e mendojnë njësoj”.