Kapiteni bardhezi i ka idetë e qarta për sezonin e ri: “Dua të fitoj diçka para se t’i jap lamtumirën Juventusit”.
“Kemi të njëjtin synim si atëherë kur ramë në Serinë B: fitoren. Duhet të jemi përsëri Juventusi në të gjitha aspektet, që në fund të sezonit të jemi krenarë për atë që kemi bërë. Kjo është çështja më e rëndësishme”, u shpreh sulmuesi italian i “Zonjës” në një konferencë për shtyp.
Në nëntor kapiteni fryn 36 qirinj, por duket se nuk ka aspak ndërmend të varë këpucët në gozhdë. “E ardhmja ime pas futbollit mbetet në pikëpyetje, pasi ende e ndjej veten futbollist. Jam plotësisht i përqendruar te ky sezon dhe kurrë nuk kam menduar për kontratën”, saktësoi Del Piero, duke nënvizuar se nuk ka kontakte me asnjë ekip tjetër.