Njeriu më i akuzuar për eliminimin e Brazilit nga Kampionati botëror Afrika e Jugut 2010 pa dyshim ishte mesfushori Felipe Melo. Por, futbollisti i Juventusit është mbrojtur në një mënyrë interesante dhe të veçantë, pas eliminimit në çerekfinale nga Holanda.
“Nuk e pranoj rolin e fajtorit në asnjë mënyrë. Duket se çdo gjë që kam bërë ishte negative, ndërsa njerëzit i harruan gjërat e mira”, ka thënë ish futbollisti i Fiorentinës për televizionin brazilian Rede Globo.
“E kam pjesën time të fajit në atë humbje, por e di se e kam dhënë maksimumin. Autogoli kundër Holandës? Julio Cesar ka bërtitur për ta grushtuar topin, por me vuvuzela ishte e vështirë ta dëgjoja”, vazhdoi ai.
Felipe Melo shton se e ka lënë prapa krahëve këtë Botëror dhe se objektiv i tij i radhës është që të rikthehet te Juventus dhe ta bëjë një punë të mirë, duke shfaqur lojëra të mira, në sezonin që vjen në Serie A dhe në garat evropiane.