16 korrik 2010

Interesim nga Italia për Marquez

Juventusi dhe Genoa thuhet se i janë bashkuar garës për transferimin e mbrojtësit të Barcelonës, Rafa Marquez, pas largimeve të futbollistëve në repartin defensiv në të dyja taborët.

Është spekuluar se Marquez është drejt largimit nga Camp Nou, pasi nëpër titujt kryesorë të gazetave qëndronte lajmi se meksikani mund të kalonte te New York Red Bulls.

Përkundër faktit se Marquez ka kontratë me Barcën deri në vitin 2012, Blaugranët dëshirojnë ta shesin atë për 7 milionë euro, shumë që nuk do të ishte problem as për Genoan e as për Juventusin.

Juventusi gjatë këtij afati kalimtar veror e ka larguar nga skuadra Fabio Cannavaron që shkoi te Al-Ahli, ndërsa ka transferuar mbrojtësin e ri italian Leonardo Bonucci, por juventinët nuk mjaftohen me aq dhe tani e duan dhe meksikanin në skuadër. Genoa gjithashtu ka nevojë për një mbrojtës të ri si zëvendësues të grekut Sokratis Papastathopoulos që thuhet se është fare pranë Milanit.